Lëmshi për Dekoratat e Presidentit Thaçi

'Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar... propozimet nuk janë dekorim'

Hashim Thaçi, Shkurt 2018

Me kos

Hashim Thaçi: “Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht… Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim.”

Vlerësimi: Shkresat zyrtare të Zyrës së Presidentit e demantojnë presidentin Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ende nuk ka marrë vendim për dekoratat për nder të 10 vjetorit të pavarësisë. E-maili zyrtar i dërguar nëpër media nga presidenca është titulluar “Bashkangjitur gjeni Listën e të dekoruarve nga Presidenti i Republikës së Kosovës”. Thaçi ka thënë se i ka pranuar 500 propozime, ndërsa në listën e të dekoruarve figurojnë vetëm 250 emrat të personaliteteve dhe organizatave. Në fund të shkresës ku janë emrat thuhet “Lista fillestare e të dekoruarve”. ‘Tërheqja’ e dekorimeve nga ana e Presidentit ka ardhur pasi disa nga personalitetet e kanë refuzuar dekoratën e presidentit Thaçi.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i ka rënë pishman për listën e gjatë të dekoratave që i ka dhënë ditë më parë për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Përmes një shkrese jo-zyrtare të publikuar në profilin e tij në Facebook, Presidenti Thaçi i ka tërhequr dekoratat për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kjo tërheqje e dekoratave erdhi pas një vale të personaliteteve që publikisht kanë refuzuar dekoratën nga Presidenti Hashim Thaçi. Janë dhënë arsye të ndryshme për refuzim, por pjesa më e madhe janë lidhur me figurën politike të presidentit Thaçi në vitet e fundit të qeverisjes së tij.

Thaçi pretendon se ende nuk i ka dekoruar, por vetëm kanë qenë në listën e tij të gjatë të propozimeve.

“Në tavolinën e punës kam hiq më pak se 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propozuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në ‘Facebook’.

KRYPOMETRI ka gjetur që në ueb-faqen e Presidencës nuk është publikuar lista e plotë me 500 emrat e personaliteteve dhe organizatave që janë propozuar. Ndërkohë, është e vërtetë që Zyra e Presidentit kishte bërë thirrje për propozimin e personaliteteve dhe organizatave që duhet të dekorohen. Por, nga ky konkurs nuk është publikuar lista e plotë me propozime.

Ndërkohë, zyra e Presidencës ka dërguar një njoftim te mediat me datën 16 shkurt, një ditë para 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në këtë listë figurojnë 250 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, dhe jo 500 siç ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se deri më tani i ka aprovuar vetëm 7 propozime, ndërsa 13 të tjera i ka refuzuar.

“Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht”, ka shkruar Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se emrat e publikuar kanë qenë propozime, dhe nuk kanë qenë dekorime.

“Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim. Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht”, ka shkruar Thaçi.

Mirëpo, bazuar në shkresat zyrtare të Zyrës së Presidentit, Thaçi nuk e ka thënë të vërtetën. Zyra e Presidentit më 16 shkurt e njoftoi opinionin për dekorimet e bëra nga i pari i shtetit.

E-maili zyrtar i dërguar nëpër media nga presidenca është titulluar “Bashkangjitur gjeni Listën e të dekoruarve nga Presidenti i Republikës së Kosovës”. Pra që nënkupton, emrat e të gjithë të dekoruarve nga Presidenti i Republikës.

Ndërsa brenda dokumenteve, ku mund të shihen emrat e të dekoruarave thuhet; “Lista e personaliteteve të dekoruara nga presidenti Thaçi me Medaljen e 10 Vjetorit të Pavarësisë”.

Pra edhe këtu nënkuptohet që presidenti tashmë i ka dekoruara ata që i kishte futur në listë.

Madje në fund të listës së gjatë të personaliteteve që Presidenti Thaçi i kishte dekoruar, thuhet që kjo është lista fillestare e atyre që janë dekoruar.

Nuk thuhet “e atyre që do të dekorohen”, por “atyre që janë dekoruar”. Pra, sipas këtij dokumenti, procesi i dekorimit për këto personalitete tashmë kishte përfunduar.

“Lista fillestare e të dekoruarve nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi me Medalje Presidenciale në 10-të Vjetorin e Pavarësisë për personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, organizata vendore dhe ndërkombëtare si dhe për ngjarje e organizime”, thuhet në përfundim të listës 8 faqesh të Presidentit Thaçi.

E njëjta listë ka qenë e publikuar edhe në ueb-faqen e Zyrës së Presidentit, por ajo është larguar.

Disa prej këtyre që kishin qenë në listën  të dekoruarve nga Presidenti e kishin refuzuar publikisht dekorimin.

Tre ish- kolegët e tij të partisë, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj e Hydajet Hyseni ia kanë refuzuar dekorimin. Publicistët Veton Surroi e Rexhep Qosja janë dy tjerë që kanë refuzuar të dekorohen nga Thaçi. Edhe Redaksia e Gazetës ‘Koha Ditore’ e ka refuzuar dekoratën.

KALLXO.com shkroi dje edhe për refuzimin e ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Edhe një ish pjesëtar tjetër i UÇK-së e kishte refuzuar dekoratën e Thaçit. Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi kishte refuzuar të dekorohet nga Presidenti Thaçi.

Se shkresa e presidentit është kuptuar si dekorim e tregon fakti që shumë personalitetet e kanë pranuar dekorimin përmes postimeve në ‘facebook’. Ish-gazetari, tash këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi e ka ‘pranuar’ dekorimin përmes një postimi në Facebook. Njëjtë ka vepruar edhe ish-gazetari, tash deputeti, Muharrem Nitaj.

Kaçaniku në pritje të ujit

by Qëndresë Mustafa
NA NDIQNI

Send this to a friend