Lajmi i rremë se Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 42 mijë euro për një automjet pick-up
Deklarata
Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 42,000 euro për të blerë me tender një automjet pick-up të vitit 2004
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Postimi se “Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 42,000 euro për të blerë me tender një automjet pick-up të vitit 2004”- është i rremë. Komuna e Vushtrrisë nuk e ka hapur tenderin për furnizim me veturë, si pretendohet nga faqja ‘Vrojtuesit e lagjes-Vushtrri’ (arkiva). Tenderi me numër të prokurimit është Ndërmarrja Publike Lokale Përparimi SH. A., e cila është autoritet kontraktues i pavarur nga Komuna e Vushtrrisë.
Artikulli
Më 28.08.2024 faqja në Facebook ‘Vrojtuesit e lagjes-Vushtrri’ (arkiva) e ka publikuar një informacion duke pretenduar se Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 42,000 euro për të blerë me tender një automjet pick-up të vitit 2004.
“Çmimi i lartë për një automjet të tillë (40.000 euro), që është shumë i vjetër, është vërtetë shqetësues. Shumë punëtorë që na kanë shkruar, tregojnë se ky Pick up (Pikap) që është në foto e i cili para pak ditëve është larguar nga oborri i ndërmarrjes, është i blerë nga ndërmarrja “Përparimi””- thuhet tutje në postim.
Në postim gjithashtu pretendohet se “në këtë tender të shpallur janë planifikuar të blihen një fryrëse industriale ku çmimi i saj në treg është jo më shumë se 1000 € dhe një frezë ku çmimi i saj në treg është jo më shumë se 1000 €”.
Faqja ‘Vrojtuesit e lagjes-Vushtrri’ (arkiva) i ka publikuar edhe tri fotografi, njëra prej të cilave është prej faqes së Prokurimit Elektronik, aty ku publikohen të gjithë tenderët e shpallur nga institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike.
Në këtë fotografi që kjo faqe ka publikuar është edhe numri i Prokurimit: 2024/NPLP-24-7889-1-2-1. Krypometër e ka kërkuar këtë numër të prokurimit në faqen https://e-prokurimi.rks-gov.net dhe ka gjetur se tenderi nuk është shpallur nga Komuna e Vushtrrisë, por nga Ndërmarrja Publike Lokale Përparimi SH.A.
“Përparimi Sh.A” është ndërmarrje publike lokale dhe në e-Prokurim është Autoritet Kontraktues i ndarë nga komuna e Vushtrrisë. Ndërmarrja Publike Sh. A. ka nënshkruar marrëveshje me Komunën e Vushtrrisë për grumbullimin e mbeturinave në këtë komunë.
Për të verifikuar tutje këtë informacion, Krypometër ka kontaktuar edhe me Komunën e Vushtrrisë për të sqaruar nëse tenderi në fjalë është hapur nga ky Autoritetet Kontraktues.
Zyrtarja për Informim të Mediave, Mirjeta Daku, ka thënë se Komuna e Vushtrrisë nuk ka hapur një tender të tillë, që parasheh blerjen e një veture Pick-Up.
Ata kanë thënë se tenderi është hapur nga një kompani publike lokale, që ka menaxhment të veçantë dhe i inicon procedurat e prokurimit në mënyrë të pavarur nga Komuna e Vushtrrisë.
“Komuna e Vushtrrisë konfirmon që tenderi për të cilin është raportuar nuk është iniciuar nga ana e Komunës së Vushtrrisë dhe as nuk ka pasur informacione rreth tenderit. Kompania në fjalë zhvillon e ndarë procedurat e prokurimit dhe nuk ka lidhje me Komunën e Vushtrrisë”- ka deklaruar Daku në përgjigje për Krypometër.
Krypometër ka analizuar tenderin që është publikuar në faqen e e-Prokurimit, me emër të kontratës “Furnizim me automjet special (pick up) dhe mjete tjera punuese”.
Në faqe blerësi figuron se është Ndërmarrja Publike Lokale Përparimi SH. A. dhe jo Komuna e Vushtrrisë, ashtu siç është pretenduar nga faqja.