Lajmi i rremë për terroristin e katërt të vrarë në Banjskë
Deklarata
Terorristi i katërt serb, i cili u gjet i vrarë sot
Vlerësimi
Rrenë
Informacioni i publikuar nga faqja “Llapianet” në Facebook për terroristin e katërt të vrarë në Banjskë të Zveçanit, i shoqëruar edhe me një fotografi, është i rremë. Informacionet zyrtare, Policia e Kosovës dhe ministri i MPB-së, konfirmuan më 24/09/2023, se janë regjistruar tre terroristë të vrarë në fshatin Banjskë.
Artikulli
Më 25 shtator 2023 faqja e Facebook-ut “Llapianet” publikoi një fotografi në të cilën shihet një trup i shtrirë dhe pranë tij edhe një armë zjarri. Materiali shoqërohet me mbishkrimin “Terorristi i katërt serb, i cili u gjet i vrarë sot!”.
Krypometri më 27/09/2023 verifikoi nëse informacioni i publikuar nga faqja “Llapianet” është i saktë.
Nga informacionet e deritanishme zyrtare, në Banjskë të Zveçanit nga shkëmbimi me armë zjarri mes grupit terrorist dhe Policisë së Kosovës, kanë vdekur tre terroristë.
“Deri më tani, sipas informacioneve nga terreni, tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupin terrorist”– thuhet në njoftimin e forcave të rendit më datë 24/09/2023.
Të dhënat e njëjta i konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në paraqitje para mediave.
“Ne i kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë, të armatosur dhe katër të tjerë që ishin në mbështetje të këtij operacioni me radiolidhje si dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedurat e verifikimit”- tha ministri Sveçla më 24/09/2023.
Më 24 shtator 23 rreth orës 03:00 të mëngjesit, një polic me gradën rreshter u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me një grup terroristësh në Banjskë të Zveçanit.
Policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe të armatimit pasi terroristët ikën nga manastri i Banjskës të Zveçanit.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.