Lajmi i rremë për gjuajtje me armë në Prishtinë në mes të dy familjeve
Deklarata
Gjuhen sërish me armë Capat me Sekiraqët (Video)
Vlerësimi
Rrenë
Lajmi i publikuar më 05.09.2024 me titullin “Gjuhen sërish me armë Capat me Sekiraqët (Video)”- është i rremë. Policia e Kosovës, në një përgjigje për Krypometër, ka thënë se më datë 05.09.2024 nuk kishte përleshje me armë në mes të dy familjeve në Prishtinë. Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës për datën 05.09.2024 nuk është raportuar ndonjë perleshje e armatosur. Nga përleshja në mes të dy grupeve që ka ndodhur më 01.09.2024 ka mbetur i vdekur një person dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Artikulli
Më 05.09.2024 portali Llapi.info ka publikuar një artikull me titull: “Gjuhen sërish me armë Capat me Sekiraqët (Video)” (arkiva 1 dhe 2).
Artikulli i referohet “raportimit të disa mediave“, përderisa nuk ka ndonjë citim nga një burim kredibil apo nga Policia e Kosovës.
“RTI ka publikuar një video ku pretendohet se ka pasur të shtëna mes këtyre dy grupeve sonte në Prishtinë”- thuhet në artikullin e publikuar në faqen Llapi.info.
Krypometër ka kontrolluar faqen në Facebook të RTI.tv, aty ka qenë e publikuar një video fillestare në të cilën pretendohet se kishte të shtëna, mirëpo e njëjta më vonë është fshirë.
E njëjta faqe e ka publikuar një video të dytë në të cilën thuhet se kanë pranu informacione për të shtëna me armë (arkiva 1 dhe 2) në lagjen Aktash dhe atë të Muhaxherëve.
Për të verifikuar këto informacione, Krypometër ka kontaktuar me Policinë e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci ka konfirmuar se më 05.09.2024 nuk ka pasur të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.
“Jo nuk ka pasur (të shtëna me armë zjarri), nuk ka pasur as kontroll të shtuar të Policisë së Kosovës“- ka thënë Borovci për Krypometrin.
Krypometër gjithashtu ka analizuar raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës për incidentet kriminale të regjistruara në Kosovë, e lëshuar më 06.09.2024 për incidentet e datës 05.09.2024.
Sipas këtij raporti, në Prishtinë janë regjistruar një “Lëndim i rëndë trupor“, një “Hetim mbi vdekjen“, një “Armëbajtje pa leje“, një “Kanosje“, një “Vrasje në tentativë“, dy raste të “Dhunës në familje“ dhe një “Vjedhje e rëndë“.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Më 01.09.2024 ka ndodhur një vrasje në Prishtinë. Sipas dosjes së Prokurorisë, më 01.09.2024 ngjarja kishte ndodhur rreth orës 22:04h, ndërsa në incident ishin përfshirë anëtarët e dy familjeve për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme.
Prokuroria në shpjegimet e bëra me rastin e kërkesës për caktim të paraburgimit për disa persona kishte shpjeguar se është gjuajtur me breshëri nga armë të gjata.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar nga 30 ditë paraburgim për Korab Gashin, Valdrin Ademin, Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin pasi të njëjtit dyshohet që kanë qenë të përfshirë në përleshjen e armatosur që kishte ndodhur më 01.09.2024.
KALLXO.com kishte raportuar se pesë të dyshuarit nuk kanë shtuar asgjë në seancën dëgjimore të mbajtur ndaj tyre lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Arsyetimi i Gjykatës për caktimin e paraburgimit është se të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë të cilët kanë qenë prezentë, si dhe për shkak të problemeve të mëparshme të dyshuarit mund të përsërisin veprën e njëjtë penale si dhe kushti tjetër që të dyshuarit po qe se lihen në liri do t’i shmangen drejtësisë.