Rrena e Shpend Ahmetit me Nisjen e Autobusëve të Rinj
Deklarata
Shpend Ahmeti më 24.12.2016: “15 autobusët e parë lëshohen në qarkullim më 11 janar, në linjat 4, 3 që janë më të frekuentuara”.
Vlerësimi
Rrenë
Autobusët nuk janë vënë ende për dispozicion të udhëtarëve ndërsa kompania publike e transportit të udhëtarëve “Trafiku Urban” është duke operuar ende me autobusë të vjetruar.
Artikulli
Zhurmë e madhe qe bërë vitin e kaluar për sagën e autobusëve të rinj për Trafikun Urban të Prishtinës.
Kredia e butë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për blerjen e 51 autobusëve ishte bërë për muaj të tërë ‘mollë sherri’ ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe komunës së Prishtinës.
Procedurat e kredisë u mbyllën vjeshtë ndërsa konvoji i parë i autobusëve erdhi në Prishtinë më 30 dhjetor, kryetari i komunës kishte paralajmëruar futjen e tyre në qarkullim për 11 janar.
“15 autobusët e parë lëshohen në qarkullim më 11 janar, në linjat 4, 3 që janë më të frekuentuara”, kishte thënë Ahmeti më 24 dhjetor të vitit të kaluar në emisionin “Me Shukin”.
Kur kanë kaluar gati tri javë pas këtij afati të përmendur nga Ahmeti, autobusët janë ende duke qëndruar në parkingun e Trafikut Urban.
Zyrtarë të komunës tani nuk përmendin më datë kur udhëtarët do t’i shfrytëzojnë autobusët e rinj.
“Deri më tani kanë ardhur 30 autobusë, të cilët janë në procedura teknike-administrative për të hyrë në funksion në komunikacion. Këta do të operojnë në linjat 3 dhe 4. Në ndërkohë po trajnohen edhe shoferët, edhe stafi tjetër teknik mbështetës për mirëmbajtjen e autobusëve”, tha për KALLXO.com zyrtari për informim i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.