array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit. Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i Deçanit mashtron nxënësit për ndalje të grevës

Deklarata

Bashkim Ramosaj: …u dakorduam që nesër (më 21 janar) të fillojmë me procesin mësimor. Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt.

 

Bashkim Ramosaj

Vlerësimi

Rrenë

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka mashtruar nxënësit e kësaj komune se mësimi do të fillojë të hënën, më 21 janar. Ai ftesën e drejtuar nxënësve që të paraqiten në shkolla në orar të rregullt e ka bërë pas një takimi me drejtorët e shkollave, edhe pse ka qenë sindikata që e ka organizuar grevën. Të nesërmen, drejtorët e shkollave kanë deklaruar se “këshilli grevist” dhe mësimdhënësit nuk iu kanë bindur kërkesës së kryetarit të komunës. Në këtë debat në mes të krerëve të komunës dhe sindikalistëve kanë mbetur nxënësit e kësaj komune që janë paraqitur në shkolla, mirëpo që nuk kanë mbajtur mësim.

Artikulli

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte njoftuar se në shkollat e kësaj komune mësimi do të fillojë me datën 21 janar. Këtë njoftim Ramosaj e ka bërë pak kohës pas konferencës së kryeministrit Ramush Haradinaj në të cilin kishte folur për “ofertën e fundit” të tij për grevistët.

Kryetari i Deçanit, që vjen nga partia e kryeministrit Haradinaj, kishte thënë se për fillimin e mësimit ishte vendosur në bashkëpunim me drejtorët e shkollave.

“Në këtë takim të jashtëzakonshëm u dakorduam që nesër të fillojmë me procesin mësimor”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt. Kurse për nesër kam ftuar Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e Sindikatës që nesër me dt. 21.01.2019 ora 8:00 të jenë në takim në zyrën e Kryetarit të Komunës, me qëllim ta tejkalojmë këtë situatë e cila pas deklaratës së Kryeministrit Haradinaj është e papranueshme të vazhdojë”, kishte deklaruar Ramosaj.

E këtë njoftim të nesërmen (21 janar) e demantoi drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj, i cili kur u kontaktua nga KALLXO.com tha se mësimdhënësit nuk e kanë pranuar këtë ofertë të kryeministrit Haradinaj.

Ai kishte treguar që një numër i nxënësve kanë shkuar në shkolla sipas njoftimit të dhënë nga kryetari i komunës, mirëpo megjithatë mësimi nuk është mbajtur.

“Janë në grevë por edhe janë takime me sindikata dhe për momentin nuk ka ndonjë zhvillim të ri. Edhe pse disponimi i komunës dhe drejtorisë është me vazhdu mësimin, por për mësimdhënës nuk kemi informacion të saktë sepse po presim me reflektu pozitivisht për të mirën e procesit”, kishte thënë Vishaj.

Mosmbajtjen e procesit mësimor e ka konfirmuar edhe ish drejtori i Arsimit në Deçan, Qazim Maloku i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të Shkollës Fillore “Lidhja e Prizrenit” në këtë komunë.

Maloku tha për KALLXO.com se ka qenë kërkesë e kryetarit Ramosaj që greva të ndërpritet mirëpo nuk ka gjetur mbështetjen e mësimdhënësve.

“Gjatë këtij takimi jemi dakorduar që të fillojë mësimi sot duke u marrë vesh me trupën arsimore. Sot nuk kemi mbërri me u dakordu as me kryetarin e Sindikatës, as me mësimdhënësit sepse ata e përkrahin qëndrimin e Sindikatës së Bashkuar. Edhe sot nuk po vazhdon mësimi.”, kishte deklaruar Maloku përmes telefonit.

Edhe kryetari i SBAShK-ut e kishte konfirmuar për KALLXO.com se i tërë sistemi arsimor është unik në vendimin për bojkotimin e procesit mësimor deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Për momentin raportet fillestare flasin se i tërë sistemi arsimor vazhdon të jetë në grevë”, kishte thënë Jasharaj.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme (e mërkurë), kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj tha për KALLXO.com se dje janë marrë vesh me Këshillin e Sindikatës që ta ndërpresin grevën.

Ai tha se mësimi sot ka filluar në mbi 80 për qind të shkollave me orar të shkurtuar për shkak të proceseve teknike dhe kushteve atmosferike.

“Mësimi për momentin është duke vazhduar në pesë shkolla fillore, kurse në katër-pesë shkolla nuk po mbahet për arsye të mospasjes së nxehjeve në nivel të duhur. Shkollat fillore punojnë deri në 11:30 kurse shkollat e mesme edhe pse kanë pasur arsimtarët aty dhe një pjesë të nxënësve e jo komplet, për shkak të kësaj lloj katrahure që u kriju, kam informacion që nuk e kanë mbajtë mësimin edhe pse një pjesë e profesorëve kanë qenë të gatshëm”, tha Ramosaj.

Por sipas deklaratës së drejtorit DKA-së në Deçan, Bekim Vishaj, mësimi ka filluar pjesërisht në disa shkolla dhe se shpreson që do të filloj edhe në pjesën e mbetur të shkollave të cilat ende po e mbështesin grevën.

“Disa shkolla janë në mësim e disa janë në grevë. Nuk e kemi bërë ndonjë raport të detajuar, por kemi informacione se drejtorët janë nëpër takime me kolektivet e tyre dhe ne kemi kërkuar si komunë që me pas mirëkuptim për hir të fëmijëve dhe nxënësve, tash mbetet tek mësimdhënësit.”, tha Vishaj për KALLXO.com.

Se greva është duke vazhduar e tha edhe U.D. drejtorit të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan Qazim Maloku.

“Në shkollën e qytetit “Lidhja e Prizrenit” nuk ka mësim për shkak se ne jemi në grevë, e çka të ka thënë kryetari unë nuk e di por ne jemi në grevë.”, ka thënë Maloku për KALLXO.com.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Pejë Isuf Lajçi tha për KALLXO.com se kryetari i SBAShK-ut është duke zhvilluar vizita në shkollat e Pejës dhe më pas në ato të Deçanit dhe Junikut.

“Ne do të shkojmë ta vizitojmë për së afërmi Deçanin dhe të njoftohemi me gjendjen momentale që është atje por ne kemi informatë se Deçani është në grevë mbi 90 për qind. Në ora 14:00 kryetari do të jetë në konferencë për media dhe mund të njoftoheni për më shumë.”, tha Lajçi.