Kosova Vajton ‘Autogolin’ për Themelimin e Ushtrisë
Deklarata
Hashim Thaçi: Autogoli për themelimin e FAK ka ndodhur në pranverë të vitit 2014. Kur unë kam qenë kryeministër, i kam bindur të gjitha komunitetet që ta mbështesin themelimin e Forcave të Armatosura. Kanë qenë 25 deputetë, janë dakorduar, edhe bashkësia ndërkombëtare na ka mbështetur, NATO ka thënë ‘është vendim i juaji, ne e mirëpresim’. Pastaj disa parti politike opozitare që kanë qenë në atë kohë nuk kanë votuar për themelimin e Forcave të Armatosura me arsyetimin se (PDK) po fiton poena politikë.
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Deklarata se partitë opozitare e kanë bllokuar formimin e FSK-së është PJESËRISHT E VËRTETË dhe nuk meriton të klasifikohet si tërësisht E VËRTETË për faktin se:
Hashim Thaçi e ka ekzagjeruar kur ka thënë që partitë opozitare nuk i jepnin votat sepse frikësosheshin që PDK po merr poena politikë. Atë që ne mund ta faktojmë nga deklaratat e thëna është se votimi është larguar nga rendi i ditës në Kuvend për shkak se LDK e VV e kanë konsideruar që votimi i ulëseve të rezervuara bashkë me votimin për ushtrinë është çmim i madh për ta paguar.
Hashim Thaçi me PDK-në nuk provoi që ta bëjë hapin final në këtë nismë- ta hedhë në votim propozimin. Ai zgjodhi të dorëzohet karshi refuzimit deklarativ të asaj pjese të opozitës që kundërshtonte propozimin.
Artikulli
Në intervistën që Presidenti Hashim Thaçi e dha në emisionin “Jeta në Kosovë” me 20 tetor 2016, pretendon se e ka kryer hisen e vet të punës në vitin 2014 lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Kur u pyet për bllokadën e procesit të transformimit të FSK-së, Thaçi rikujtoi situatën e prillit të vitit 2014, gjatë së cilës, sipas tij, “partitë që në vitin 2014 ishin në opozitë” se ata janë fajtorë për mos-shëndrrimin e FSK-së në Ushtri. Aludon në LDK-në dhe Vetëvendosjen.
Krypometri e ka marrë këtë deklaratë për ta vërtetuar se a është e vërtetë pasi që kalimi i FSK-së në fazën tjetër të zhvillimit është momentalisht në qorrsokak.
Në prill 2014, Thaçi avokonte ndryshimet kushtetuese në mesin e të cilave përfshihej edhe transformimi i FSK-së në forcë të armatosur, me përgjegjësi më të mëdha në çështjen e sigurisë se që ka tani.
Por një çështje me të cilën nuk pajtoheshin dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, ishin se për t’i marrë votat e deputetëve të komuniteteve pakicë, këta të fundit kërkonin që ulëset e rezervuara në Kuvend t’u zgjateshin edhe për një mandat tjetër.
Thaçit, që atëherë drejtonte qeverinë dhe partinë më të madhe në vend (PDK-në) nuk i pengonte një gjë e tillë. Në këtë betejë ai e kishte marrë pëlqimin edhe të një partie tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Autogoli për themelimin e FAK ka ndodhur në pranverë të vitit 2014. Kur unë kam qenë kryeministër, i kam bindur të gjitha komunitetet që ta mbështesin themelimin e Forcave të Armatosura. Kanë qenë 25 deputetë, janë dakorduar, edhe bashkësia ndërkombëtare na ka mbështetur, NATO ka thënë ‘është vendim i juaji, ne e mirëpresim’. Pastaj disa parti politike opozitare që kanë qenë në atë kohë nuk kanë votuar për themelimin e Forcave të Armatosura me arsyetimin se (PDK) po fiton poena politikë”, tha Thaçi në emisionin “Jeta në Kosovë”.
Duke folur nga një pozicion i ri, Thaçi në emision nuk pranoi të t’i përmendë partitë që, sipas tij, bënë autogolin.
“Ka qenë një pjesë e opozitës. Nuk dëshiroj të përmend emra sepse jam President i vendit dhe nuk dëshiroj të hap debate që mund ta ndezin skenën politike. Merrni transkriptet e Kuvendit të Kosovës të liderëve opozitarë në atë kohë dhe sot mosthemelimi i FAK është produkt i atij autogoli politik të interesit të ngushtë të politikës ditore dhe elektorale. Por nuk e justifikoj as ‘Listën Serbe’ që sillet kështu”, tha ai.
Por transkriptet e seancave të Kuvendit nuk e thonë atë që zyrtarët e këtyre partive e kanë thënë nëpër konferenca për shtyp, të cilat më pas janë cituar nga mediat në atë kohë.
“Të gjitha votat e LDK-së janë për krijimin e Forcave të Armatosura dhe të gjitha votat e LDK-së janë kundër vazhdimit të mandateve”, tha sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, i cituar nga mediat më 29 prill të vitit 2014.
Në të njëjtën ditë, edhe deputetja Vjosa Osmani, atëherë një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, e kishte përdorur formulimin kur e kishte botuar një opinon në mediat lokale.
Njëjtë e vendosur kundër vazhdimit të ulëseve të rezervuara ka qenë edhe Vetëvendosje.
“Kjo është logjika e mekanizmit të votës së dyfishtë dhe tash pakicat serbe kërcënojnë se nuk do ta votojnë krijimin e Forcave të Armatosura dhe të ushtrisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë po të njëjtën ditë ish- anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri.
Por AAK e mbështeste idenë e transformimit të FSK-së në këmbim të ulëseve të rezervuara.
“Nuk është kushedi se çfarë çmimi me i pasë tre deputetë më shumë serbë në Kuvendin e ardhshëm për me e arritë transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës”, kishte thënë atëbotë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
Pra, teknikisht, Thaçi ka të drejtë kur thotë se partitë opozitare ja kanë bllokuar formimin e FSK-së, fjala është për LDK e VV, por nuk e ka thënë pjesën tjetër që është se këto dy parti nuk e pranuan këtë për shkak se votimi i FSK-së vinte me kusht që të votohen edhe 3 ulëse të rezervuara.
Nga ana tjetër, Albin Kurti, ish- kryetar i Vetëvendosjes, dështimin e themelimit të Forcave të Armatosura ia kreditonte Hashim Thaçit.
Këtë e kishte thënë në seancë të Kuvendit më 7 maj 2014 kur u shpërbë Kuvendi për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën më 8 qershor të atij viti.
“Kryeministri i Kosovës duhet të japë dorëheqje. Kryeministri e ka premtuar ushtrinë për Kosovën, nuk e realizoi premtimin. Meqenëse nuk e realizoi premtimin, rendi moral edhe institucional thotë që kryeministri duhet të jap dorëheqje. E nëse, kryeministri nuk është as institucional dhe është jo moral, atëherë rendi politik i gjërave thotë që opozita duhet ta rrëzojë Qeverinë”, tha Kurti.
Më 5 maj 2014, deputetët e kishin në rend dite shqyrtimin e pikës për ndryshimet kushtetuese të miratuara paraprakisht nga qeveria. Por kjo pikë, që përfshinte votimin në bllok të transformimit të FSK-së dhe vazhdimit të ulëseve të rezervuara, u hoq nga rendi i ditës për shkak të mospajtimeve të grupeve parlamentare.
Dy ditë më vonë, më 7 maj 2014, Kuvendi votoi shpërbërjen pa mundur ta votojë transformimin e FSK-së në FAK.
Kosova mbeti pa Forca të Armatosura dhe komunitetet pakicë pa ulëse të rezervuara.