array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=2"
  }
}

Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit. Foto: Atdhe Mulla

Kompletimi i vonshëm i Komitetit të Auditimit në Deçan

Deklarata

Ligji: Komiteti i Auditimit përbëhet nga tre (3) ose pesë (5) anëtarë, ku dy të tretat (2/3) janë të jashtëm nga fusha përkatëse e auditimit, ndërsa pjesa tjetër nga stafi i brendshëm i subjektit të sektorit publik

 

Ligji për për kontrollin e brendshëm të financave publike

Vlerësimi

Pjesërisht e vërtetë

Komuna e Deçanit nuk e ka funksionalizuar Komitetin e Auditimit për më shumë se një vit. Funksionalizmi i këtij komiteti dhe mbajtja e të paktën katër takimeve është obligim ligjor i organizatave buxhetore. Për vitin 2018, Komuna e Deçanit kanë thënë se janë mbajtur 4 takime dhe se janë marrë seriozisht rekomandimet e Auditorit të Brendshëm. Kjo do të vërtetohet kur të publikohet raporti i Auditorit të Jashtëm, prandaj KRYPOMETRI do t’i mbajë për fjale krerët e Komunës së Deçanit.

Artikulli

Komuna e Deçanit për më shumë se një vit nuk kishte fare Komitet të Auditimit, siç kërkohet me ligj.

Mandati i Komiteti i Auditimit në Komunën e Deçanit kishte skaduar në mars 2017 dhe për tremujorin e parë nuk ishte mbajtur ndonjë takim pune.

Vetëm në prill të vitit 2018, Komuna e Deçanit ka themeluar Komitetin e Auditimit, i cili është kompletuar me anëtarët që parashihen në udhëzimin administrativ NR. 01/2019.

“Është i kompletuar Komiteti i Auditimit në Komunë të Deçanit dhe është i përbërë nga tre anëtarë të jashtëm që do të thotë nuk janë punëtor të komunës: Jeton Demukaj, Ramë Demhasaj dhe Besiana Tahiraj. Janë marrë parasysh rekomandimet e Komitetit të Auditimit dhe do të zbatohen në vitin 2019”, ka thënë se shefja e Kabinetit të zyrës së Kryetarit të Komunës së Deçanit, Dafina Cacaj.

Sipas përgjigjes së komunës ky komitet gjatë vitit 2018 ka mbajtur 4 takime, çdo tre muaj nga një takim siç edhe është paraparë me ligj.

Në gjetjet e raportit e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Pasqyrat financiare të vitit 2016 thuhet se Komuna e Deçanit nga 111 rekomandimet e dhëna nga Njësia e Auditimit të Brendshëm ka zbatuar 65 prej tyre ose 59 për qind, ndërsa 29 prej tyre kanë qenë në proces të zbatimit.

“Ndonëse vërehet një shkallë mjaft e lartë e zbatimit të rekomandimeve, nevojiten ende përmirësime. Komiteti i Auditimit gjatë vitit 2016 kishte mbajtur dy (2) takime pune, nga katër (4) që kërkohen sipas udhëzimit administrativ 11/2010 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të auditimit. Nga procesverbalet vërehet që nuk janë trajtuar dobësitë dhe rreziqet e raportuara nga NJAB”, thuhet në raport.

Ndërsa është parë rreziku nga mos adresimi i plotë i rekomandimeve të auditimit të brendshëm, i cili mund të rezultojë me vazhdimin e dobësive të identifikuara, jo efikasitet në sistemin e kontrollit të brendshëm, dhe vlerë të dobët për para.

Tutje në raportin e vitit 2016 janë dhënë edhe rekomandimet që kryetari duhet të rishikojë arsyet për veprimet e limituara të ndërmarra nga menaxhmenti, në lidhje me rekomandimet e auditimit të brendshëm, dhe të koordinoj bashkëpunimin me Komitetin e Auditimit për ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë së kontrollit të brendshëm.

Në vitin 2017 kishte më pak rekomandime nga Auditori i Brendshëm, por edhe zbatimi ishte në nivel më të ulët. Gjetjet kryesore të raportit të auditimit të vitit 2017 janë se nga 40 rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit të brendshëm, Njësia e Auditimit të Brendshëm ka vlerësuar se vetëm 16 prej tyre janë zbatuar, 13 në proces të zbatimit dhe 11 nuk ishin zbatuar.

Në bazë të gjetjeve janë dhënën edhe rekomandimet, të cilat duhet t’i marrë parasysh komuna e Deçanit.

Sipas raportit dhe rekomandimeve kryetari duhet të sigurojë që përveç përgatitjes së planeve të veprimit nga njësitë e audituara, të sigurojë se procesi në zbatimin e rekomandimeve monitorohet vazhdimisht nga menaxhmenti.

Komiteti i Auditimit duhet t’i rishikoj rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e auditimit të brendshëm.

Neni 20 i Ligjit për për kontrollin e brendshëm të financave publike thotë se Komiteti i Auditimit është organ i pavarur këshillëdhënës për udhëheqësin e subjektit të sektorit publik, dhe mbështetës për auditorët e brendshëm.

Të gjitha institucionet publike janë të obliguara që të themelojnë Komitetin e Auditimit në bazë të kritereve të vendosura nga Ministri i Financave.

“Komiteti i Auditimit përbëhet nga tre (3) ose pesë (5) anëtarë, ku dy të tretat (2/3) janë të jashtëm nga fusha përkatëse e auditimit, ndërsa pjesa tjetër nga stafi i brendshëm i subjektit të sektorit publik”, thuhet në nenin 20.

Ndërsa, neni pasues flet për pavarësinë funksionale të njësisë së auditimit të brendshëm.

“Njësia e auditimit të brendshëm ushtron funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe i raporton drejtpërdrejt vetëm udhëheqësit të subjektit të sektorit publik dhe e njofton Komitetin e Auditimit. Në raport me strukturat tjera organizative në subjektin e sektorit publik, njësia për auditimin e brendshëm ka pavarësinë funksionale në planifikimin e punës së auditimit, në kryerjen e auditimit dhe në raportim”, thuhet në pikën 1 dhe 2 të nenit 21 të Ligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike.