array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Smajl Latifi - Kryetar i Rahovecit

Keqklasifikimi i shpenzimeve përsëritet në raportin e auditimit të Komunës së Rahovecit

Deklarata

Smajl Latifi (20.09.2020)“… po besojmë që keqklasifikimi i shpenzimeve nuk ka me ekzistu si problem dhe nuk ka me qenë më temë për Komunën e Rahovecit”

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi

Vlerësimi

Rrenë

Edhe pse Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ishte zotuar ndryshe, gjetja e keqklasifikimit të shpenzimeve ishte  prezente në raportin e auditimit të vitit 2019 për Komunën e Rahovecit.

Artikulli

Në debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Rahovecit, të mbajtur rreth një vit më parë, kryetari Smajl Latifi, kishte premtuar se gjetja për keqklasifikim të shpenzimeve, nuk do të përsëritet më në raportet e tyre të auditimit.

“Kemi përmirësim në keqklasifikimin e plot pozicioneve të cilat Auditori i ka përmendur. Besoj që viti 2019 dhe angazhimet për me i adresu qartazi rekomandimet përmes një plani konkret të veprimit për adresimin e rekomandimeve të auditorit për vitin 2018, këtë vit është më efikas edhe po besojmë që keqklasifikimi i shpenzimeve nuk ka me ekzistu si problem dhe nuk ka me qenë më temë për Komunën e Rahovecit dhe realisht Auditorët e Jashtëm dhe të Brendshëm nuk do të kenë më hapësirë për ta konsideruar si gjetje të përsëritur për Komunën e Rahovecit edhe si rekomandim të përsëritur për Komunën e Rahovecit”, ka deklaruar Latifi në debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Rahovecit.

Por edhe pas zotimit të Latifit, kjo gjetje është prezente në raportin e auditimit të vitit 2019.

Auditori ka gjetur se komuna ka paguar 120 mijë euro për mallra dhe shërbime nga buxheti për investime kapitale. Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të komunës për të buxhetuar të gjitha shumat e nevojshme në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Po ashtu, pagesat e kryera nga Thesari, në vlerë 105,373 euro, në bazë të vendimeve të gjykatës/përmbarimore, ishin regjistruar në kategori ekonomike jo adekuate. Nga investimet kapitale dhe nga mallrat e shërbimet ishin paguar 72,010 euro për paga jubilare dhe përcjellëse, dhe nga mallrat e shërbimet ishin paguar 33,363 euro për investime kapitale. Pagesat nga kodet jo adekuate janë bërë kryesisht në mungesë të mjeteve në kategoritë adekuate.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet me përpikëri sipas kodeve ekonomike adekuate, po ashtu të gjitha obligimet të paguhen me kohë në mënyrë që të shmanget mundësia e pagesave shtesë për procedura gjyqësore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në raportin e vitit 2019 për Komunën e Rahovecit në lidhje me keq-klasifikimin e shpenzimeve.

Në raportin e vitit 2019, nga 21 rekomandimet e vitit 2018, Komuna e Rahovecit ka zbatuar 5 rekomandime, 3 rekomandime nuk janë zbatuar, 2 janë mbyllur, 9 janë në proces të zbatimit dhe 2 pjesërisht të zbatuara. Në vitin 2019, Komuna e Rahovecit ka marrë 14 rekomandime nga Auditori, zbatueshmëria e të cilave do të publikohet në raportin e vitit 2020 i cili do të jetë publik në gjysmën e vitit të ardhshëm.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka analizuar dhe krahasuar gjetjet e Auditorit të përgjithshëm në Komunën e Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Rahovec.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Rahovecit ishte organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Debati në Komunën e Rahovecit në vitin 2019 është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.