array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Euro, foto: Pixabay

Ishte premtuar për në mars por Projektligji për Paga ende nuk ka shkuar në Kuvend

Deklarata

Xhelal Sveçla (20.01.2022) – “Muaji shkurt është i rezervuar për një debat publik të gjerë, i cili presim që do të jetë vlerë e shtuar për projektligjin, si dhe për krijimin e sistemit të mirëfilltë të pagave, për të cilin e synojmë. Prandaj, gjatë muajit mars Ministria e Punëve të Brendshme do të procedojë ligjin për miratim në qeveri, ashtu edhe siç kam deklaruar radhës së kaluar”.

Programi legjislativ – Projektligji për Pagat në Sektorin Publik – 30.03.2022

Xhelal Sveçla & Programi legjislativ

Vlerësimi

Rrenë

Në fillim të vitit 2022, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ishte zotuar se Projektligji për Paga në sektorin publik do të dërgohej në muajin mars dhe shkurt për miratim në Qeveri dhe Kuvend. I njëjti zotim ishte vendosur edhe në Programin legjistativ të qeverisë. Por edhe pse kanë kaluar rreth 7 muaj që nga koha e zotuar, Projektligji për Paga ende nuk është dërguar në Qeveri dhe Kuvend për miratim.

Artikulli

Muaji mars ishte zotuar si koha kur Projektligji për Paga në sektorin publik do të dërgohej për miratim në qeveri e më pas në Kuvendin e Kosovës. Këtë e kishte thënë ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, në muajin janar të këtij viti. Muaji mars ishte zotuar edhe në Programin Legjislativ të qeverisë aktuale.

Në seancën e Kuvendit të mbajtur më 20 janar të vitit 2022, Sveçla në fjalimin e tij kishte përmendur se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në qeveri në muajin mars

“Muaji shkurt është i rezervuar për një debat publik të gjerë, i cili presim që do të jetë vlerë e shtuar për projektligjin, si dhe për krijimin e sistemit të mirëfilltë të pagave, për të cilin e synojmë. Prandaj, gjatë muajit mars Ministria e Punëve të Brendshme do të procedojë ligjin për miratim në qeveri, ashtu edhe siç kam deklaruar radhës së kaluar” – kishte thënë Sveçla.

Kanë kaluar 7 muaj që prej kohës kur është premtuar se Projektligji i Pagave në Sektorin Publik do të shkojë për miratim në Qeverinë e Kosovës dhe i njëjti ende është në konsultim paraprak. 

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KALLXO.com, e ka konfirmuar se Projektligji për Paga është në fazën finale të draftimit.

“Projektligji ndodhet në fazën përfundimtare të draftimit. Pas finalizimit të tij do hapim konsultimet publike ku do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile” – kishte thënë Kryeziu më 6 prill 2022.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e ka konfirmuar për KALLXO.com se deri më 7 shtator ky ligj ka qenë në konsultime.

“Projektligji për Pagat në sektorin publik është proceduar në konsultime paraprake me datë 17 gusht 2022. Këto konsultime zgjasin pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike, deri me 7 shtator 2022. Pas përfundimit të konsultimeve paraprake, sipas legjislacionit në fuqi, projektligji do të lansohet në platformën e konsultimeve publike” – thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Ndonëse nuk jepen detaje shtesë për datën kur do të përfundojë faza e konsultimeve publike, në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se “pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të dërgohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”.

Më 27 prill të këtij viti, ministri Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal e kishte pranuar se janë vonuar.

“Është e qartë nëse i referohemi datave si numra kemi vonesë dhe kjo është për arsyen e vetme sepse po punojmë për një ligj që mbulon sferën e nevojave për secilin institucion veç e veç. Për sa na përket ne si Ministri e Punëve të Brendshme ky ligj është përfunduar, tashmë është në fazën vlerësimit në Ministrinë e Financave” – kishte deklaruar Sveçla.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga dhe disa kërkesa të tjera.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.