array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Informacioni i rremë se KFOR-i është larguar nga Ura e Ibrit 

Deklarata

KFORI LARGOHET NGA URA…GATI HAPJA  E URES

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Me kos

Mbishkrimi i videos “KFORI LARGOHET NGA URA” dhe “GATI HAPJA  E URES”- është i rremë. Largimi i përkohëshëm i KFOR-it nga Ura e Ibrit nuk ndërlidhet me synimet e Qeverisë së Kosovës për të hapur këtë urë. Njesitet e KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë në Urën e Ibrit. Ato kanë qenë të pranishme në këtë orë më datën 30 dhe 31 gusht 2024. 

Artikulli

Më 14.08.2024 një profil në Facebook ka publikuar një video (arkiva 1 dhe 2), në të cilën pretendohet se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, janë larguar nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe se hapja e saj tani është gati.

“KFORI LARGOHET NGA URA” dhe “GATI HAPJA  E URES”- janë mbishkrimet në video.

Të dyja informacionet janë të pasakta, pasi njësi të KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë tek ura dhe nuk janë larguar përgjithmonë nga ura.

Krypometër ka kontaktuar misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, për të marrë sqarime nëse janë larguar nga ura mbi lumin Ibër.

Nga KFOR-i kanë nënvizuar se misioni i tyre ka një prani të dukshme në mbarë Kosovën, porse kanë edhe një prani në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka një prani të dukshme në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta rregulluar atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

“KFOR-i po monitoron situatën dhe mbetet vigjilent. Është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”- theksojnë nga KFOR.

Më tej, KFOR-i ka ritheksuar se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.

“Ritheksojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”- kanë thënë nga KFOR për Krypometrin më 31.08.2024.

Më 30.08.2024, Krypometër ka qëndruar afër urës dhe ka parë se aty qëndrojnë njësi të karabinerëve italianë. Fotografitë janë shkrepur më 30.08.2024, në ora 12:30h.

Fotografia është shkrepur më 30.08.2024, në ora 12:30h.

Edhe më datë 31.08.2024, njësitë e KFOR-it kanë qenë të pranishëm në Urën e Ibrit, madje edhe në numër më të madh.

Karabinierët janë njësi e specializuar shumëkombëshe e misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO. Karabinierët kanë qenë të përfshirë në operacione të shumta paqeruajtëse italiane dhe ndërkombëtare, duke mbështetur në mënyrë autonome rindërtimin e autoriteteve të zbatimit të ligjit të vendit pritës dhe duke marrë pjesë në programe trajnimi të dedikuara.

Krypometër ka kërkuar informacione nëse KFOR-i ka thënë se do të tërhiqet nga ura. Në një komunikatë të KFOR-it, të lëshuar më 13.08.2024, është thënë se pjesëtarët e tyre janë të pranishëm në Urën e Ibrit. 

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”– thuhet në komunikatë.

Debati për hapjen e urës 

Më 08.08.2024 mbi Urën e Ibrit janë bërë testimet me kalimin e mauneve për të bërë vlerësimin e qëndrueshmërisë së saj, rezultatet e së cilit raport nuk janë bërë të ditura ende për publikun.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 14.08.2024 në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se i ka mirëpritur vlerësimet preliminare të qendrueshmërisë së urës, rezultate të cilat ai tha se i ka ndarë edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.

“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi”- ishte deklaruar Kurti.

Edhe dy javë më pas, më 28.08.2024, Kurti deklaroi se ende janë në pritje të raportit final për urën.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës teksa presim raportin final, e deri të përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Kosovë por edhe në Bashkimin Europian”- theksoi Kurti, teksa tregonte se cila është tema kyçe në takimet me zyrtarë nga faktori ndërkombëtar.

Kurti ishte takuar me komandantin Ulutas më 13.08.2024 në ndërtesën e Qeverisë. Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, temë diskutimi mes palëve ka qenë hapja e urës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX-i”– thot Zyra e Kryeministrit (ZKM).

Ndërkaq në një komunikatë për media në të cilën nuk ishte përmendur takimi me Kurtin, më 13.08.2024, KFOR-i pati rikonfirmuar qëndrimin se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.

KFOR thot se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.  

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në Urën e Ibrit disa barrikada, të cila u larguan në vitin 2014. 

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe disa pemë.

Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi u largua në vitin 2015.

E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.