
Informacioni i rremë se janë arrestuar shtatë serbë në lidhje me një aksion të Policisë në veri
Deklarata
“Aksion i madh policor në Veri të Mitrovicës: Policia në veri gjen armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave, kamera të cilat në mënyrë ilegale inqizonin vendin dhe pajisje tjera të dyshimta, 7 serb bien në pranga”
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Postimi “Aksion i madh policor në Veri të Mitrovicës: Policia në veri gjen armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave, kamera të cilat në mënyrë ilegale inqizonin vendin dhe pajisje tjera të dyshimta, 7 serb bien në pranga”- është pjesërisht i rremë. Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armë e pajisje për prodhimin e kriptovalutave, mirëpo nuk i ka arrestuar 7 serbë. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka thënë se nuk janë arrestuar 7 serbë, mirëpo një person është ndaluar dhe liruar më vonë.
Artikulli
Më 22.01.2025, faqja në Facebook Lajme Nga Bota (arkiva) ka publikuar fotografi në të cilat shihen disa armë dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Në postim pretendohet se në këtë aksion të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës janë arrestuar shtatë serbë.
“Aksion i madh policor në Veri të Mitrovicës: Policia në veri gjen armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave, kamera të cilat në mënyrë ilegale inqizonin vendin dhe pajisje tjera të dyshimta, 7 serb bien në pranga”- thuhet në postim.
Pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur komunikatën e plotë, të publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës. Në komunikatë nuk përmendet se janë arrestuar shtatë serbë, por, Policia thot se kanë intervistuar një person në lidhje me rastin.
Krypometër ka kontaktuar edhe me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, për të sqaruar përmbajtjen në fjalë.
Elshani ka konfirmuar se nuk janë arrestuar shtatë serbë për këtë rast.
“Nuk ka të arrestuar. Një ka qenë, i cili më pas është liru.”- ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës ka gjetur, më 22.01.2025 armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të tjera të dyshimta në rrugën “Kollashini” në Mitrovicë të Veriut.
“Një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, dyzet e dy “minera” për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, katërmbëdhjetë fishekë të revoles të kalibrit 9 mm, një radiolidhje, një kamerë vëzhgimi; DVR, vulë metalike dhe letërnjoftim.”- këto janë gjetur sipas njoftimit të PK.
Sipas Policisë, aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës. Ndonëse të arrestuar nuk ka ende, organet e rendit njoftojnë se është identifikuar një person i dyshuar.
“Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’.”- thuhet në njoftim.
Policia përfundon se vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve, ndaj të gjithë komunitetit pa dallim.