Informacioni i rremë për rritje të pensioneve për 48%
Deklarata
Nga 25 korriku 2024, pensionet do të rriten me 48%. Zgjedhni moshën tuaj për të parë shumën
Vlerësimi
Rrenë
Informacioni se “Nga 25 korriku 2024, pensionet do të rriten me 48%”- është i rremë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka marrë vendim për rritje të pensioneve për 48%. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka thënë se informacioni është i rremë. Ky informacion për rritje të pensioneve është publikuar në Facebook më 25.07.2024. Në të njëjtën ditë (25.07.2024) është regjistruar edhe domeni retirementinvest02353.online, linku i të cilit ishte bashkangjitur në postimin në Facebook.
Artikulli
Më 25.07.2024 faqja në Facebook, ‘Shop 3’ (arkiva), ka publikuar një artikull duke pretenduar se pensionet do të rriten nga 25 korriku 2024.
Në grafikën e publikuar është përdorë Stema e Republikës së Kosovës, përderisa shkruan se “Nga 25 korriku 2024, pensionet do të rriten me 48%. Zgjedhni moshën tuaj për të parë shumën”.
Kur klikon mbi këtë infografikë të dërgon tek faqja e internetit ‘retirementinvest02353.online’ (arkiva), e cila nuk ka asnjë lidhje me lajmin e publikuar në Facebook pasi aty nuk ofrohen asnjë prej informacioneve të paralajmëruara në postim.
Krypometër e ka kontrolluar domenin retirementinvest02353.online në faqen Whois.com. Bazuar në të dhënat e publikuara në këtë faqe rezulton se domeni retirementinvest02353.online është regjistruar (arkiva) në ditën e publikimit (25.07.2024) të postimit në Facebook.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se postimi është i rremë pasi nuk është marrë ndonjë vendim rreth rritjes së pensioneve.
“Kjo është vazhdimësi e një fushate dezinformuese. Thirrje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat i kemi demantuar. I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve”- tha Kryeziu për Krypometër.
Krypometër ka kontrolluar vendimet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i ka marrë gjatë muajit korrik 2024 (shih këtu, këtu dhe këtu), por në asnjë prej tyre nuk figuron ndonjë vendim për rritje të pensioneve për 48%, si pretendohet në postimin e bërë në faqen ‘Shop 3’.
Më 30.05.2024, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lëshuar një njoftim në të cilin kishte thënë se janë duke u publikuar informata të rreme që kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë.
“Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transfereve.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini, i ka thënë Krypometrit se çdo vendim i ri për ndryshimet në skemat pensionale publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transfereve.
Krypometër ka kontrolluar faqen zyrtare të kësaj ministrie dhe profilin e tyre në Facebook, por aty nuk është publikuar asnjë njoftim për politikë të re të pensioneve.