
Informacionet e pasakta për ndarjet buxhetore për FSK nëpër vite
Deklarata
Qeveria Kurti 249 milionë nga viti 2022-2024, Qeveria Haradinaj 63 milionë nga viti 2018-2020, Qeveria Mustafa 47 milionë nga viti 2015- 2017, Qeveria Thaçi 38 milionë nga viti 2009-2014
Vlerësimi
Rrenë
Të dhënat për buxhetin e FSK nëpër vite të paraqitura në këtë infografikë janë të rreme, pasi është ulur vlera e buxhetit të FSK gjatë kohës së kryeministrave, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa. Në kohën e Qeverisë Thaçi në periudhën 2009-2014, buxheti i FSK ishte 130 milionë euro. Kurse gjatë mandatit të Qeverisë së Isa Mustafës (2015-2017) buxheti i FSK ishte në vlerë prej 134 milionë euro. Në dy vitet e para të udhëheqjes së Qeverisë nga Haradinaj, buxheti i FSK ishte në vlerë 104.2 milionë euro. Kurse në vitin 2020 kur Kosova i kishte tre Kryeministra gjatë 12 muajve, buxheti ishte 65.1 milionë euro. Nga viti 2021 e deri në vitin 2024 buxheti i FSK ishte 425.1 milionë euro.
Artikulli
Më 26.10.2024, në grupin Diaspora me Albin Kurtin (arkiva dhe arkiva) është shpërndarë një video në të cilën shihen ish-kryeministrat e Kosovës dhe kreu aktual i Ekzekutivit.
Në infografikën e paraqitur në këtë video pretendohet se është buxheti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nëpër vite.
“Qeveria Kurti 249 milionë nga viti 2022-2024, Qeveria Haradinaj 63 milionë nga viti 2018-2020, Qeveria Mustafa 47 milionë nga viti 2015- 2017, Qeveria Thaçi 38 milionë nga viti 2009-2014”- thuhet në këtë infografikë.
Për të verifikuar këto pretendime, Krypometër ka analizuar ndarjet buxhetore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) prej vitit 2009 e deri në atë 2024.
Bazuar në ndarjet fillestare të buxhetit për organizatat buxhetore, të cilat bëhen nëpërmjet Ligjit për Buxhetin e vendit për vitet përkatëse, Krypometër ka analizuar ndarjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për vitet 2009 deri në atë 2024.
Në periudhën 2011-2014, Qeveria e Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi. Gjatë kësaj periudhe buxheti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë 130,3 milionë euro.
Në vitin 2009 buxheti për FSK ishte 18,8 milionë euro, kurse në vitin 2010 buxheti për FSK ishte 28,3 milionë euro.
Në vitin në vijim 2011 buxheti i ndarë për FSK-në ishte 32,9 milionë euro. Në 2012 buxheti i planifikuar për FSK ishte në vlerë prej 33,1 milionë euro, ndërsa në 2013 shuma e ndarë për FSK ishte 36 milionë euro. Tutje, në 2014 buxheti për FSK arriti shumën prej 38,5 milionë euro. Pra në total gjatë udhëheqjes së Thaçit, buxheti i FSK ishte në vlerë prej 130 milionë euro.
Isa Mustafa ka qenë Kryeministër i Kosovës në periudhën 2015-2017. Në vitin e parë të Qeverisë Mustafa buxheti i FSK ishte 41,3 milionë euro, kurse në vitin pasues në vitin 2016 buxheti ishte 45,1 milionë euro. Në 2017 buxheti i ndarë për FSK ishte 47,6 milionë euro. Në total, buxheti i FSK gjatë qeverisjes së Isa Mustafës ishte 134 milionë euro.
Në 2018, në krye të Ekzekutivit ishte Ramush Haradinaj dhe buxheti i ndarë për FSK ishte 49,7 milionë euro.
Në fund të atij viti, më 14.12.2018, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri ligjet (Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës), të cilat ia kanë mundësuar Forcës së Sigurisë së Kosovës të bëhet Ushtri. FSK do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota.
Në vitin e dytë të qeverisjes nga Haradinaj, buxheti i FSK ishte 54.5 milionë euro. Pra, gjatë dy viteve te qeverisjes së Haradinajt buxheti i FSK ishte 104.2 milionë euro. Në vitin 2020, Kosova i kishte tre Kryeministra. Buxheti ishte hartuar dhe miratuar gjatë kohës së kryeministrit Haradinaj dhe i njëjti ishte 65.1 milionë euro. Më 03.02.2020, Albin Kurti ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës, kurse më 03.06.2020 në krye të Qeverisë kishte ardhur Avdullah Hoti.
Hoti ishte Kryeministër i Kosovës deri më 23.03.2021, kur ia kishte dorëzuar detyrën Albin Kurtit. Në 2021 buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës ishte 63,1 milionë euro. Një vit më vonë, në vitin 2022 buxheti i FSK u rrit në 97,2 milionë euro. Rritje të buxhetit për Forcën e Sigurisë pati në vitin 2023, në vlerë 116,767,831 euro. Më tej, buxheti për FSK arriti në vlerën e 148,101,326 euro në 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e përbashkët plenare të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, më 20.12.2024, ka deklaruar se në vitet 2021-2023 janë bërë mbi 239 milionë euro investim në armatim dhe municion.
“Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO. NATO nuk ka armatim të vetin. NATO e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare dhe për dallim nga viti 2018-2020 kur kishin më pak se katër milionë euro investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milionë euro investim në armatim dhe municion. Pra ne nuk mund të anëtarësohemi në NATO, se nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë, sepse edhe do të kontribuojmë.”- ka deklaruar Kurti.
Buxheti është një plan i të hyrave dhe shpenzimeve për një periudhë 12-mujore, që ndryshe njihet si “vit buxhetor” dhe në Kosovë është nga data 1 janar deri më 31 dhjetor.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. FSK është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.