array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKShP “e humbur në përkthim”

Deklarata

Deklarata e IKShPK: “Kosova në krye të listës së vendeve evropiane si më e suksesshme në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19”

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë

Vlerësimi

Rrenë

IKShPK e ka keq-cituar artikullin e Euronews për studimin e Universitetit të Oxfordit. Artikulli në fjalë asnjëherë nuk flet për Kosovën si vendin më të suksesshëm në zbatimin e masave. Hulumtimi po ashtu nuk flet për zbatueshmërinë e masave, por flet vetëm për ndërmarrjen e masave nga qeveritë nëpër botë.

Artikulli

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka shtrembëruar faktet duke e keqcituar një artikull lidhur me hulumtimin e Universitetit të Oxfordit lidhur me menaxhimin e pandemisë nëpër vende të ndryshme të botës.

Qëllimisht ose jo, IKPShK rrejshëm ka konstatuar se hulumtimi në fjalë e liston Kosovën ndër vendet me menaxhimin më të mirë të situatës me pandeminë e COVID-19.

Mbrëmë rreth mesnatës, Instituti ka publikuar një artikull të Euronews  lidhur me hulumtimin e Universitetit të Oxfordit, ku ndër tjerash flet edhe për situatën me pandeminë në Kosovë, duke e keq-përkthyer dhe duke mos i transmetuar informacionet e sakta.

IKShPK shkruante mbrëmë se Universiteti i Oxfordit e ka shpallur Kosovën si vendin më të suksesshëm në zbatimin e masave kundër COVID-19.

“Kosova në krye të listës së vendeve evropiane si më e suksesshme në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19”, ishte fillimi i komunikatës së mbrëmshme të IKShPK-së.

Mirëpo, askund në artikullin e cituar nuk flitet për zbatimin e masave. Në fakt aty flitet vetëm për ndërmarrjen e masave nga ana e institucioneve shëndetësore.

“Kosova duket të jetë vendi më i rreptë në Evropë për sa i përket masave të qeverisë ndaj pandemisë ndërsa Bjellorusia dhe Gjeorgjia janë më të butat ndaj masave”, thuhet në artikullin, të cilit i referohet IKShPK.

Pas reagimeve të shumë qytetarëve, IKShPK ka ndërhyrë në tekstin e shkruar, duke e edituar atë dhe rregulluar.

Derisa në fillim e kishte shkruar se ‘Kosova qëndron në krye të listës së vendeve më të suksesshme në zbatimin e masave”, këtë e kishte ndërruar pak më vonë, duke thënë se Kosova në krye të vendeve evropiane për zbatimin e masave.

“Kosova në krye të listës së vendeve evropiane në zbatimin e masave strikte për parandalimin e COVID-19”

Ndonëse e ka edituar, prapë IKShPK nuk e ka thënë të vërtetën e plotë.

Artikulli, të cilin Instituti e citon, nuk flet për zbatimin e masave por vetëm për ndërmarrjen e masave.

Anna Petherick, njëra ndër autoret e hulumtimit nga Universiteti i Oxfordit është cituar të ketë thënë se hulumtimi i tyre nuk ka matur efektivitetin e masave të ndërmarra.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 13 mijë e 454 persona, janë shëruar 9 mijë e 595 ndërsa kanë vdekur 525 persona nga COVID-19.

Sipas Bloomberg, muajin e kaluar Kosova ishte vendi me më së shumti vdekje në 1 milion banorë në botë.

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.