Huqja se dy politikanë serb u arrestuan pasi penguan testimin e Urës së Ibrit
Deklarata
Arrestohen dy serbë në veri, tentuan që ta pengojnë testimin mbi urën e Ibrit/ VIDEO
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Lajmi më titull “Arrestohen dy serbë në veri, tentuan që ta pengojnë testimin mbi urën e Ibrit/ VIDEO”- nuk është i saktë. Dy serbët nuk janë arrestuar pasi kanë penguar testimin e urës, mirëpo janë shoqëruar në stacionin policorë pasi të njëjti kanë penguar punëtorët e kontraktuar nga Qeveria për mbulimin e disa simboleve. Policia e Kosovës ka thënë se dy personat e shoqëruar “kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada”, etj., të cilat ishin në shesh afër urës”. Edhe njëri nga serbët e shoqëruar, kryetari i Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijeviq, ka thënë se janë arrestuar pasi “protestuam kundër ngjyrosjes së flamurit serb, flamur i cili njihet me Kushtetutë të Kosovës”.
Artikulli
Më 08.08.2024 faqja e Facebook “Insajderi” (arkiva) ka publikuar një fotografi me mbishkrimin “Arrestohen dy serbë në veri, tentuan që ta pengojnë testimin mbi urën e Ibrit/ VIDEO”.
Ky postim më pas është publikuar edhe në disa faqe të tjera, si: “Lagja e Trimave 9Maji” (arkiva), “News.Al” (arkiva), “IFTARI.com” (arkiva), “Bijat Shqiptare” (arkiva), , “Fokusi Info” (arkiva), “NO LIMIT SHQIP” (arkiva), “Vajtuse – Shumë të mira – Muzikë Live” (arkiva), “Skupi.tv” (arkiva) dhe “Lajmi Fundit” (arkiva) .
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometri ka kontrolluar njoftimet që i ka bërë Policia e Kosovës rreth arrestimit të dy politikanëve serb.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës të datës 08.08.2024, është thënë se dy politikanët serb janë shoqëruar në Polici pasi i kanë penguar punëtorët e kontraktuar për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste.
“Sot, më datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada”, etj., të cilat ishin në shesh afër urës. Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës tutje ka thënë se dy persona jane shoqëruar në stacionin policor për intervistim me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë.
“Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Video që tregon momenti e shoqërimit të dy personave është publikuar në rrjetet sociale dhe rezulton se personat e shoqëruar ishin, kryetari i Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq.
Krypometri ka kontaktuar me njërin prej të arrestuarve, Aleksandar Arsenijeviq, i cili ka thënë se nuk e kanë penguar testimin e urës dhe nuk ka qenë ajo arsyeja se pse janë shoqëruar në stacion policor.
“Ne u arrestuam pasi protestuam kundër ngjyrosjes së flamurit serb, flamur i cili njihet me Kushtetutë të Kosovës”- tha Arsenijeviq për Krypometrin.
Për shoqërimin e Arsenijeviq dhe Velkoviq në stacion të Policisë u mbajtë edhe një protestë, më 08.08.2024, para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut.
Arsenijeviq dhe Velkoviq pas intervisitimit u liruan. Për dy politikanët serb reagoi “Iniciativa e Re Sociale” e cila tha se Policia ka përdorur forcë të tepruar.
Sipas tyre, qëllimi ka qenë te mbulimi i simboleve kombëtare serbe.
“Mbulimi i simboleve kombëtare, përdorimi i të cilave garantohet nga ligji dhe kushtetuta, i shoqëruar nga prania e policisë, tregon se qëllimi i autoriteteve ishte vetëm provokimi dhe shqetësimi i publikut” – thuhet në reagim.
Këtij reagimi i janë bashkëngjitur edhe NGO ‘Aktiv’, ACDC, CASA dhe InTER.
Në veri të vendit më 08.08.2024 pati edhe zhvillime të tjera. Zyrtarët shtetërorë dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë mbajtur takim të përbashkët për Urën e Ibrit.
Gjatë diskutimit u parashtruan pyetje nga qytetarët në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit dhe tema tjera të ndërlidhura me problemet në veri.
Më 18.07.2024, kryeministri Kurti ka treguar për synimet e qeverisë për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër. Kurse më 02.08.2024 Kurti kishte paraqitur para diplomatëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Mirëpo, ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk e kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të urës së Ibrit në Mitrovicë.
Më 13.08.2024, kryeministri i Kosovës e kishte pritur në takim komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas. Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kryeministri e ka njoftuar komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër. Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rikonfirmuar përmes një komunikate qëndrimin se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.