Huqja mediale për emërimin e kandidatit të LVV-së, Kujtim Shala
Deklarata
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar Kujtim Shalën në Bordit të Postës. Shala ka qenë kandidat për deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vlerësimi
Rrenë
Kujtim Shala: Unë jam ai në foto që ka dal nëpër portale, por unë nuk jam zgjedh në bord, siç kanë raportuar portalet.
Artikulli
Mbrëmë, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarë të rinj në Bordet të përkohshme në tri ndërmarrje publike.
Derisa disa anëtarë dolën të kenë afërsi politike me Lëvizjen Vetëvendosje, në disa portale u raportua se në bord është emëruar edhe Kujtim Shala, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.
Por, ish-kandidati për deputet, Kujtim Shala nuk është emëruar në asnjë bord, pasi bëhet fjalë për një person tjetër me të njëjtin emër e mbiemër.
“Unë jam ai në foto që ka dal nëpër portale, por unë nuk jam zgjedh në bord, siç kanë raportuar portalet”, theksoi Shala.
Ai thotë se i emëruari në bordin e Postës së Kosovës është një person tjetër me të njëjtin emër, i cili me profesion është ekonomist.
“Unë kam dëgju nëpër portale, pastaj kam dëgju që është një ekonomist me emrin e njëjtë dhe mbiemrin e njëjtë”, ka thënë Shala për KALLXO.com.
Shala thotë se nuk është kontaktuar nga mediat.
Ai e ka pranuar se është anëtar i partisë së Albin Kurtit, ndërsa ka thënë se po keqpërdoret emri i tij nga portalet.
“Unë kam garu për deputet në vitin 2017 për Lëvizjen Vetëvendosje, i kam fitu 5 mijë e diçka vota por s’jam zgjedhë. Jam anëtar i LVV-së”, deklaroi ai.
Në fund, ai ka uruar emnakun e tij për postin e ri në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.
“Unë i uroj punë të mbarë dhe suksese atij që është përzgjedhur e që e ka emrin si timin”, tha në fund ai.
Portalet që kanë raportuar gabimisht për emërimin e ish-kandidatit për deputet nga LVV-ja janë: sinjali.com, insajderi.net, reporteri.net, gazetametro.net.