array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Fotografia e manipuluar e Kurtit me ministrin turk dhe informacioni i rremë se Turqia do t’i dhurojë Kosovës helikopterë

Deklarata

Pasi Serbia Ka Ble Helikopter Nga Franca Turqia Do I Dhuroj Helikopter Kosoves Miku Mir Në Qaste Te Veshtira

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Është i rremë mbishkrimi “Pasi Serbia Ka Ble Helikopter Nga Franca Turqia Do I Dhuroj Helikopter Kosoves Miku Mir Në Qaste Te Veshtira”- që është vendosur në videon në të cilën shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtmë të Turqisë, Hakan Fidan para një helikopteri. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se prentendimi se “Turqia Do I Dhuroj Helikopter Kosoves”- është i rremë. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan e ka vizituar Kosovën dhe është takuar me Kryeministrin Kurti, por në komunikatën e Qeverisë nuk është thënë se do ta pranojnë donacion ndonjë helikopter.

Artikulli

Më 06.09.2024, një profil në Facebook ka publikuar (shih arkivën këtu dhe këtu) një material në të cilin shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, para një helikopteri.

Në material është vendosur mbishkrimi “Pasi Serbia Ka Ble Helikopter Nga Franca Turqia Do I Dhuroj Helikopter Kosoves Miku Mir Në Qaste Te Veshtira”.

Fotografinë e Kurtit me ministrin Fidan që në prapavijë kanë një helikopter, Krypometër e ka kërkuar përmes instrumentit të kërkimit të fotografive “Google Lens” dhe rezulton se e njëjta është e montuar.

Në fotografinë reale, e cila është publikuar në nëntor të vitit 2019 nga Ismail Demir, president i Industrive të Mbrojtjes në Turqi, nuk është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në kuadër të ‘Programit tonë të Helikopterëve me Qëllim të Përgjithshëm’, i pari nga 109 helikopterët T-70 të prodhuar në total u hoq nga hangari. Përgëzoj kontraktorin tonë kryesor TAI dhe nënkontraktorët ASELSAN, TEI, Alp Aviation dhe Sikorsky dhe u uroj suksese të vazhdueshme”- thuhet në postimin e tij në rrjetin social X.

Ndërkaq fotografia në të cilën shihet kryeministri Kurti me ministrin e Jashtëm turk është bërë në maj të këtij viti, gjatë një vizite zyrtare të kreut të ekzekutivit në Turqi.

“Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre prej se z. Fidan ka marrë detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Ata diskutuan rreth fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, me fokus të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimit tregtar por edhe mbështetjes së Turqisë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”- thuhej në komunikatë.

Gjithashtu, Krypometër ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit për të kuptuar vërtetësinë e fotografisë dhe nëse Turqia planifikon t’i dhurojë Kosovës helikopterë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se pretendimet nuk janë të vërteta.

“Pretendimi në këtë material nuk është i vërtetë”- ka thënë Kryeziu për Krypometër.

Kjo video është shpërndarë më 06.09.2024, në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pritur në takim në Prishtinë ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Sipas një komunikate për media nga ZKM-ja, në takim Kurti dhe Fidan kanë vazhduar diskutimet nga muaji maj mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.

Në komunikatë është përmendur çështja e mbrojtjes dhe sigurisë, por nuk është cekur nëse Turqia do t’i dhurojë Kosovës ndonjë helikopter.

“Mirënjohës për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, kryeministri i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribuues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”- thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Serbia ka nënshkruar marrëveshje më 29.08.2024, me kompaninë e Francës, Dassault Aviation, për blerjen e 12 avionëve luftarakë ‘Rafale’.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan në Beograd. Ata nënshkruan memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi. Pas takimit, Vuçiq tha se Serbia do t’i zotërojë 12 avionë luftarakë dhe se kontrata për blerjen e tyre kapë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

Ndërkaq në vitin 2023, Kosova ka blerë dronë Bayraktar. Më 16.07.2023, kryeministri bashkë me, atëherë ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandantin e FSK-së Gjenerallejtnant Bashkim Jasharin, kishin prezantuar dronët Bayraktar TB-2 si pjesë e arsenalit të Ushtrisë së Kosovës.

Bayraktar është kompani pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë dhe është veçanërisht e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2.