Fotografia e krahasimit të Putinit me Hitlerin nuk u publikua në ballinën e revistës “Time”
Deklarata
“Putin, rikthimi i Hitlerit”, revista “Time”, si e shkatërroi ëndrrën evropiane
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia e Putinit, ku paraqitet si Hitleri, e cila është publikuar nga disa media dhe është shpërndarë në rrjete sociale nuk është ballinë e revistës “Time”. Ajo është realizuar nga një dizajner grafik, dhe për tu dukur më e fuqishme është ideuar si ballinë e revistës prestigjioze amerikane. Se nuk është ballina e tyre e ka thënë edhe vet revista “Time.
Artikulli
Një fotografi e presidentit rus Vladimir Putin, me mustaqet e diktatorit Adolf Hitler të mbivendosura në fytyrën e tij, është publikuar nga media vendore dhe është shpërndarë në rrjete sociale duke iu referuar si ballinë e revistës “Time”.
Me mbishkrimin “Rikthimi i historisë. Si i shkatërroi Putini ëndrrat evropiane”, kjo fotografi e kopertinës është publikuar si foto lajm nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri.
Foto është publikuar nga Revista Kosovarja, Top-Channel, Gazetashqiptare.al, Infobox.al
“Revista prestigjoze “Time” e ka cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin si një rikthim të diktatorit famëkeq, Adolf Hitler”, thuhet në hyrjen e artikullit të Top Channel.
Pasi kjo fotografi u shpërnda nëpër rrjete sociale, krijuesi i saj, dizajneri grafik, Patrick Mulder në Twitter e mohoi që kjo fotografi është bërë për ballinën e revistës prestigjioze “Time”.
“Unë doja të bëja diçka që lidhej me pushtimin në Ukrainë si dhe të kapja humorin e publikut. Nuk është bërë për kopertinën e TIME. Ndjeva se meritonte të kornizohej në një mënyrë po aq të fuqishme”, ka shkruar ai në Twitter.
Lidhur me këtë ka shkruar edhe Reuters, të cilët kanë kontaktuar me një zëdhënës të revistës “Time” dhe kanë marrë konfirmim se fotoja nuk i përket atyre.
“Asnjë kopertinë e tillë nuk u publikua nga Time”, kishte thënë ky zëdhënës.