Fotografia e fabrikuar e Albin Kurtit përmes Inteligjencës Artificiale
Deklarata
“Stalin”
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “Stalin” në të cilën shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me një veshje të ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik është e fabrikuar. Kjo fotografi është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari më 31.12.1991, ndërsa Stalini e ka udhëhequr BRSS-në deri në vitin 1953. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lindur në vitin 1975 dhe ai i kishte vetëm 16 vjeç kur kishte rënë BRSS-ja.
Artikulli
Më 25.09.2024 faqja “Drenica Graphic” publikoi një video, në të cilën shihet fytyra e kryeministrit të Kosovës (arkiva), Albin Kurti, me veshje ushtarake derisa i është shtuar edhe një pjesë nga një prononcim i tij në gjuhën serbe.
Ai në gjuhën serbe uron që të festohet në qetësi me familje dhe me komshinj.
Postimit i është vendosur përshkrimi “Stalin”. Krypometër, përmes kërkimit të fotografive në Yandex ka gjetur se uniforma që ka të veshur Albin Kurti në këtë fotografi i takon kohës së ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik, e cila drejtohej nga ish-presidenti, Jozef Stalin.
Ky postim ka marrë 290 mijë shikime, 878 reagime dhe 614 komente nga ana e lexuesve.
Përmes një kërkimi të fotos së përdorur në postim në Sight Engine, Krypometër ka gjetur se kjo foto është 99% e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Krypometër po ashtu ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
“Kjo video është tërësisht manipulim që nga fotografia e deri te zëri i shkëputur”- ka thënë Manxhuka për Krypometër.
Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari më 31.12.1991. Ndërsa Stalini e ka udhëhequr Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) deri në vdekje, në vitin 1953.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lindur në vitin 1975 dhe ai i kishte vetëm 16 vjeç kur kishte rënë BRSS-ja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë disa herë prononcime në gjuhën serbe, në komunikata të Kryeministrisë përmes rrjetit social X (ish-Twitter), por edhe në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, para gazetarëve si dhe ka qenë në intervista të mediumeve nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.
I tillë ëshë edhe materiali i përdorur në këtë postim, i cili është shkëputuar nga deklarimet e tij në gjuhën serbe.
Në një intervistë dhënë për median SkyNews, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, një lider despotik.
“Putini e përmendte Kosovën të paktën një herë në muaj dhe tani po e bën çdo javë, sepse thjesht e urren NATO-n, e urren Perëndimin. Ai është një lider despotik, i hidhëruar dhe nostalgjik dhe do të donte ta kthente luftën hibride në luftë”- kishte thënë Kurti në një intervistë për Sky News.