![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/48-720x378.png)
Është i rremë postimi se në vitin 2025 do të ndahen shtëpi për të varfërit
Deklarata
Në vitin 2025, do të ketë një numër të madh shtëpish për zbutjen e varfërisë në dispozicion për të gjithë! Ju mund të jetoni atje përgjithmonë! Përparsi kanë ata mbi 45 vjeç! Përfshirë të pastrehët dhe të huajt
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që thot: “Në vitin 2025, do të ketë një numër të madh shtëpish për zbutjen e varfërisë në dispozicion për të gjithë! Ju mund të jetoni atje përgjithmonë! Përparsi kanë ata mbi 45 vjeç! Përfshirë të pastrehët dhe të huajt”. Qeveria e Kosovës nuk ka publikuar ndonjë njoftim për ndarjen e shtëpive për familjet në nevojë. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se njoftimi është i rremë dhe nuk është bërë nga institucionet e Kosovës. Qeveria e Kosovës i ka ndarë 35 milionë euro për ndërtim të objekteve kolektive të cilat do t’i shiten qytetarëve me çmim të përballueshëm dhe më mundësi të pagesës deri në 12 vjet.
Artikulli
Më 30.12.2024 faqja në Facebook Friendly Service ka publikuar një njoftim në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Në vitin 2025, do të ketë një numër të madh shtëpish për zbutjen e varfërisë në dispozicion për të gjithë! Ju mund të jetoni atje përgjithmonë! Përparsi kanë ata mbi 45 vjeç! Përfshirë të pastrehët dhe të huajt”- shkruan në info grafikën e publikuar nga kjo faqe.
Kur klikon mbi këtë lajm, limku të dërgon te ueb faqja foreclosed-home04.shop (arkiva), e cila nuk ka të bëjë fare me njoftimin në faqen në Facebook.
Krypometri ka kontrolluar përmes platformës Whois domenin e ueb faqes foreclosed-home04.shop (arkiva), e cila rezulton se është regjistruar më 20.11 2024 dhe është azhurnuar më 12.12.2024. Emrat e pronarëve nuk janë publik e Arizona është shteti në të cilin veprojnë.
Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës thot se stema është një nga simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe e njëjta mund të përdorët vetëm si është përcaktuar në këtë ligj.
Neni 11 i këtij ligji thot se stema do të përdorët në gjitha aktet zyrtare të Republikës.
“Stema e Republikës së Kosovës vendoset: a) në hyrje të institucioneve shtetërore, së bashku me emërtesën e tyre; b) në të gjitha aktet zyrtare; c) në vulat e institucioneve shtetërore; d) në dokumentet dhe marrëveshjet ndërshtetërore të Republikës së Kosovës në bazë të reciprocitetit.”- thuhet në nenin 11 të Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.
Për të verifikuar këtë njoftim, Krypometër ka kontrolluar faqen e Qeverisë së Kosovës, mirëpo aty nuk është asnjë njoftim për ndarjen e shtëpive për familjet në nevojë.
Krypometër ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka thënë për Krypometër se as Qeveria e Kosovës, as institucionet e tjera nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.
“I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes e të mos bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve. Si dhe, t’i përcjellin njoftimet nga faqet zyrtare të institucioneve të vendit.”- ka thënë Kryeziu.
Çfarë lehtësira ofrohen për banim në Kosovë?
Lëvizja Vetëvendosje, më 05.02.2021, në emisionin “Debat Përnime” kishte premtuar se do të ndërtojnë 4 mijë banesa, të cilat do t’u ofrohen me çmime të përballueshme çifteve të reja. Ky premtim ishte futur edhe në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, megjithatë ende nuk është jetësuar.
Kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se do të mundësojnë banim të përballueshëm social për 4,000 familje, me skemat 120×120 dhe 150×150. Premtimi i Qeverisë Kurti ishte që çiftet e reja të mund të blejnë banesa, me çmime të përballueshme, me mundësi të pagesës deri në 150 muaj dhe me këste mujore deri në 150 euro në muaj.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte njoftuar se është hapur aplikimi për identifikimin e lokacioneve, për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në disa Komuna. Tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm kapë vlerën mbi 38 milionë euro dhe do të zbatohet në Pejë, Gjilan, Podujevë e Istog.