Dhunimet në Irak apo në Kosovë, dyshimet për foton e publikuar nga Flora Brovina

Deklarata

Deklarata: Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion.  

Flora Brovina

Vleresimi

Hetimet vazhdojnë

Një fotografi e njëjtë është prezantuar me kontekst të ndryshëm nga deputetja Brovina dhe nga bota online. Brovina tha se fotografia paraqet dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë, ndërsa online ajo paraqitet nga lufta në Irak. Madje, online janë të publikuara edhe disa foto të tjera të skenës së njëjtë dhe ushtarëve të njëjtë. Të vërteten për këtë foto mund të zbulojë Prokuroria e Shtetit, e cila ka thënë se do të bëjnë ekspertizën e fotos për të kuptuar autenticitetin e saj.

Artikulli

Një grua e shtrirë që dhunohej nga tre ushtarë dhe tre burra të lidhur që shikonin këtë skenë, ishin imazhi që qarkulloi sot nga Kuvendi tek të gjitha mediat lokale.

Kjo fotografi u prezantua sot nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina.

Ajo tha se kjo fotografi i përkiste kohës së luftës në Kosovë dhe tregonte një skenë dhunimi, nga të shumtat që kanë ndodhur nga regjimi serb.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Fotografia e indeksuar nga Google, del të jetë ngarkuar në  disa faqe online që e asocojnë fotografinë me luftën në Irak. Në disa raste fotografia përshkruhet si skenë dhunimi e ushtarëve amerikanë ndaj një gruaje irakiane.

Pasi ky lajm mori dhenë në mediat lokale, Brovina doli me një deklaratë publike në RTV Dukaxhini.

Ajo tha se fotografinë e ka shumë më herët [para vitit 2006] dhe e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj, në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt.

Ajo tha se nuk mund të mohohet se ushtarët serb mund të kenë inçizuar edhe filma nga dhunimet për qëllime pornografike.

“Mos të biem pre e atyre që nuk duan ta dëshmojmë të vërtetën. Unë nuk kam frikë nga e vërteta dhe skam arsye ta bëjë këtë pune kaq të bujshme. Me cuditin njerëzit që nuk merren me krimin por me personalitetin tim. Kjo është qesharake. Unë do ta kontaktoj Prokurorinë e shtetit kemi kontaktuar përmes telefonit, edhe dëshmitë tjera do t’ia dorëzoj”, tha Brovina.

Drita Hajdari, prokurore speciale, për KALLXO.com ka thënë se fotos do t’i bëhet ekspertiza.

“Fotografise do t’i bëhet ekspertizë kibernetike  nga Agjencia e Forenzikës për të parë autenticitetin e saj dhe krahasuar me fotografitë e shfaqura nga luftërat e Irakut”, tha Hajdari.