Demarkacioni? Herë në Atë t’Ejte, Herë në Këtë t’Ejte!

Demarkimi do të votohet... ne do ta sjellim këtë lajm të mirë nesër

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi, Mars 2018

Me kos

Krerët e shtetit, disa herë kishin premtuar liberalizimin e vizave, e kur demarkacioni u bë kusht për këtë proces, shpesh ata e përmendin kalimin e tij për t’u mundësuar qytetarëve të lëvizin lirshëm.

Pasi AAK erdhi në krye të qeverisë, nisi ‘zhbllokimi’ i procesit të ‘bllokuar’ për gati tre vjet nga partitë opozitare, atëherë kur Kryeministri Haradinaj ishte në opozitë.

Fillimisht u arrit një marrëveshje në mes të dy presidentëve, Hashim Thacit dhe Filip Vujanoviqit.

Por, kur u mendua që demarkacioni do të kalojë shumë shpejt, lindi problemi i ‘raportit të Bulliqit’ dhe ‘germave’ të Projektligjit për demarkacionin. Pas disa javësh punë e bisedime, partnerët e koalicionit qeverisës thanë se më në fund kanë arritur unitet me LDK-në, duke i përmbushur kërkesat e kësaj partie.

Kadri Veseli: “Liberalizimi i vizave do të ndodhë dhe demarkimi do të votohet, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm të mirë nesër, për këtë jam i sigurt”.

Vlerësimi: Fjala e dhënë nga kryeparlamentarit, Kadri Veseli nuk u mbajt. Premtimi dhënë qytetarëve se lajmi i mirë për liberalizim do të jepej, nuk ndodhi ditën e nesërme në seancë. Për më tepër seanca e 28 shkurtit, që u quajt ‘seanca vendimtare për demarkacionin’, u shty dhe ende nuk është caktuar vazhdimi i saj.

Ramush Haradinaj: “Me marrëveshjen e re konsensuale, ndryshimi që ka pësuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror është shtesa ‘si orientim’ e shënuar me të kuqe, me kërkesë të LDK-së. Kjo fjalë ishte ajo që pengonte ratifikimin e marrëveshjes”.

Vlerësimi: Edhe pse fjala që pengonte ratifikimin e marrëveshjes u hoq, marrëveshja nuk u votua. Pra, ende ka pengesa për votimin e kësaj marrëveshje. Në ditën e seancës më 28 shkurt, Komisioni për Punë të Jashtme u mblodh, procedoi projektligjin e ri me fjalën e re, por i njëjti nuk u vu fare në votim në seancë, në mungesë të votave.

Hashim Thaçi: “Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”.

Vlerësimi: Urimin për marrëveshjen e arritur e bënë pothuajse të gjithë, por premtimi për lëvizjen pa viza nuk është përmbushur ende. Se konsensusi politik ‘siguron lëvizjen në zonën Shengen’, siguroi edhe Presidenti, por kjo po del të jetë e pamjaftueshme. Duhen votat e deputetëve të Listës Serbe, pasi që deputetët e Vetëvendosjes unanimisht janë deklaruar kundër saj.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Pasi Kryeministri hëngri fjalët e tij se nuk do t’ia hiqte asnjë shkronjë projektligjit, u bë publike ‘arritja e marrëveshjes’ dhe u caktua seanca ‘vendimtare’ për demarkacionin.

Kreu i partnerit në pushtet, Kadri Veseli u kishte premtuar qytetarëve të Kosovës që ‘lajmin e mirë’ do ta marrin të mërkurën e 28 shkurtit.

“Liberalizimi i vizave do të ndodhë dhe demarkimi do të votohet, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm të mirë nesër, për këtë jam i sigurt”, ishte shprehur ai.

Këtë ai e kishte thënë me 27 shkurt, pas takimit që pati me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se “është detyrim që demarkacioni të kryhet nesër”.

Tri ditë para premtimit të Kryeparlamentarit, lajmin- ‘zgjidhjen’ e problemit me fjalën që pengonte demarkimin e dha edhe Kryeministri.

“Me marrëveshjen e re konsensuale, ndryshimi që ka pësuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror është shtesa ‘si orientim’ e shënuar me të kuqe, me kërkesë të LDK-së. Kjo fjalë ishte ajo që pengonte ratifikimin e marrëveshjes”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook, më 24 shkurt.

Por, në seancën e 28 shkurtit, ani pse u mblodh Komisioni për Punë të Jashtme dhe ri-procedoi projektligjin me fjalën e shtuar, marrëveshja nuk u votua. Pra, doli që ka edhe pengesa të tjera për ratifikim të marrëveshjes.

Në ditën e njëjtë me Kryeministrin për Demarkacionin foli edhe Presidenti. Ai tha se arritja e marrëveshjes mes politikanëve siguron përfundimisht lëvizjen pa viza.

“Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”, kishte shkruar Presidenti Thaçi më 22 shkurt.

Gjithsesi, edhe pas këtyre deklarimeve e edhe pas premtimeve të vazhdueshme për liberalizim, demarkacioni ende nuk është votuar e pritjet e qytetarëve për të aplikuar për viza ende vazhdojnë.

Marrëveshja e Vjenës për demarkim, e cila ishte bllokuar nga paritë opozitare mandatin e kaluar, edhe duke hedhur gaz lotësjellës, u procedua në Kuvend nga dikur kundërshtuesi i saj, Ramush Haradinaj. Asaj iu bashkangjit edhe deklarata e përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe raporti i komisionit shtetëror në krye me Shpejtim Bulliqin, si “orientim” për deputetët.

Por, përkundër konsensusit në mes të partnerëve të koalicionit (minus Lista Serbe) dhe LDK-së, ratifikimi i marrëveshjes që shihet si kushti i domosdoshëm për liberalizim të vizave nuk po ndodh. Për tri herë radhazi u shty votimi, pasi qeveria i kishte të garantuara vetëm 78 vota, të pamjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Me Kushtetutë kërkohën 2/3 e votave (80 nga 120 deputetë) për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në mungesë të votave, data e vazhdimit të kësaj seance nuk dihet.

Kaçaniku në pritje të ujit

by Qëndresë Mustafa
NA NDIQNI

Send this to a friend