Deklarata e vjetër e Ramush Haradinajt për Radoiqiq prezantohet si aktuale
Deklarata
Unë e respektoj Radojeçiqin, jam i interesuar me punu me të/ LAMUSHI: DITËN PATRIOT, E NATËN ME SËRBIN
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë pretendimi i bërë në një postim të publikuar më 01.12.2024 se Haradinaj ka thënë se “Unë e respektoj Radojeçiqin, jam i interesuar me punu me të/ LAMUSHI: DITËN PATRIOT, E NATËN ME SËRBIN”. Që nga shpallja e urdhërarrestit të parë për Millan Radoiçiqin, në vitin 2019, Haradinaj nuk ka deklaruar në publik që është i interesuar të punojë me ish nënkryetarin e partisë Lista Serbe. Zëdhënësi i AAK, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se video është e manipuluar, pasi Haradinaj nuk ka kontaktuar me Radoiçiqin prej se ishte shpallur fletarresti për të, në vitin 2019.
Artikulli
Më 01.12.2024, një llogari në Facebook ka shpërndarë një material në grupin “KREJT DHE DREJT me Albin KURTIN” (arkiva dhe arkiva), në të cilin shihet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish kryetari i Listës Serbe, Millan Radoqiq, tashmë i kërkuar nga INTERPOL, në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.
Materiali ka të vendosur një mbishkrim “Haradinaj: Unë e respektoj Radojeçiqin, jam i interesuar me punu me të/ LAMUSHI: DITËN PATRIOT, E NATËN ME SËRBIN”.
Për të verifikuar këtë postim, Krypometër ka kërkuar në internet (arkiva) nëse Haradinaj ka bërë një deklaratë të tillë në kohën kur është publikuar ky postim në Facebook, pra më 01.12.2024. Në internet nuk është hasur ndonjë deklaratë e tillë, e dhënë gjatë vitit 2024, por Krypometër ka gjetur (arkiva) deklaratën që Haradinaj e kishte dhënë pas takimit që kishte me Radoiçiqin në zyrën e Kryeministrit.
“Unë du me i respektu njerëzit e vendit tim. Unë e respektoj Radojqiqin. Jam i interesum me punu me ta. Jam i interesum mos me u ndi të ofendum, as të cenuar. Ky vend është edhe i tyre. Ata s’kanë pse me mendu nëse s’e kanë Beogradin çka i gjanë.”- kishte thënë Haradinaj.
Krypometër më tej ka gjetur intervistën e plotë të Haradinajt, që e kishte dhënë për Tribuna Channel. Haradinaj më 16.07.2018 kishte deklaruar se i respekton njerëzit e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Radoiqiqin dhe pjesëtarë të tjerë të Listës Serbe.
“Unë du me i respektu njerëzit e vendit tim. Unë e respektoj zotërinë Radoiqiq. E respektoj Goran Rakiqin, Sllavko Simiqin, Igorin- tanë këta kolegët e tjerë. Jam i interesuar me ta me punu. Jam i interesuar që ata mos me u ndje as të ofenduar, as të poshtëruar, as të cenuar me ndonjë të drejtë të tyre në këtë vend. Pra ky vend është edhe i tyre. Kosova është vend i tyre. Ata nuk kanë pse me mendu nëse nuk e kanë Beogradin, çka i gjanë. Kosova është vend i tyre. Kush jemi njerëz të këtij vendi, jemi të këtij vendi.”- është deklarata e plotë e Haradinajt (min: 19:28- 20:05).
Këtë deklaratë, Haradinaj e kishte dhënë në vitin 2018, në kohën kur Radoiçiqi nuk ka qenë i kërkuar nga organet e sundimit të ligjit.
Krypometër ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e AAK, Kushtrim Xhemailin, i cili ka thënë se kjo është një video montazh, që sipas tij po bëhet me synimin me e dëmtu Haradinajn.
“Video montazhe si kjo që i referoheni ju tani janë të zakonshme, që i bëhen Kryetarit Haradinaj, me synimin ta dëmtojnë duke e lidhur me kriminelin Radoiqiq. Sa për rikujtim, Kryetari Haradinaj e ka takuar Radoiçiqin në cilësinë e Kryeministrit gjatë kohës që Radoiçiq ishte Kryetar i Listës Serbe.”- ka deklaruar Xhemaili.
Ai ka thënë se Haradinaj nuk ka kontaktuar me Radoiçiqin prej se ishte shpallur fletarresti për të.
“Që nga publikimi i fletarrestimit të tij nga Shteti i Kosovës, Haradinaj jo që nuk e ka takuar, por nuk ka mbajtur as komunikim me të.”- shtoi ai.
Urdhërarresti i parë për Radoiçiqin, si i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb, ishte shpallur në muajin korrik të vitit 2019 në kohën kur Haradinaj ishte Kryeministër.
Krypometër, përmes kërkimit në internet, ka gjetur disa deklarata të Haradinajt të cilat dëshmojnë ndryshimin e qëndrimit të tij karshi ish nënkryetarit të Partisë Lista Serbe dhe të kërkuarin nga INTERPOL si i dyshuar për udhëheqjen e grupit terrorist që sulmoi në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.
Kryetari i AAK-së ka deklaruar se Milan Radoiçiq kishte ikur nga Kosova gjatë kohës së tij, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti për kthimin e Radoiçiqit në Kosovë.
“Nuk janë këta që e kanë hequr Radoiçiqin. Këta e kanë kthyer. A ka shkuar Radoiqiq i ndjekur nga Policia e Kosovës dhe shtetit tonë gjatë qeverisjes sime. Shikoni datat, shikoni kohën që atëherë ka ikur ai. Nëse ka hyrë fshehtë bravo i koftë, por nuk ka guxuar me vepru dhe operu në Veri gjatë kohës së qeverisjes sonë.”- ka thënë Haradinaj në emisionin Politiko në Kanal 10.
Kryetari i Aleancës për Ardhëmërinë e Kosovës kishte folur për Radoiçiqin edhe në një seancë të jashtëzakonshme, në Kuvendin e Kosovës më 11.10.2024, duke thënë se kur ai ishte Kryeministër, Milan Radoiçiq ishte i ndjekur nga Drejtësia.
“Radoiçq e ka zgjedhë një rrugë tjetër, atë të ikjes nga Drejtësia. Ndikimi i tij në proceset e brendshme në Kosovë është rishfaqur me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit. Pra një njeri i ikur nga Kosova, me pamundësi me operu në Kosovë, pa fuqi të vendimmarrjes në Kosovë, na u ringjall me ardhjen Kryeministër të Albin Kurtit. Radoiçiq u kthy në faktor të marrëveshjeve me Kurtin.”- kishte thënë Haradinaj në Seancën e Kuvendit të Kosovës, më 11.10.2024.
Dosja për Radoiçiqin
Milan Radoiçiq dyshohet se ka lidhje me vrasjen e ish politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Ndaj tij ishte lëshuar letër- rreshtim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por gati dy vjet më pas, në fillim të vitit 2021, ky letër- rreshtim ishte tërhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Oliver Ivanoviq ishte vrarë para Selisë së Partisë së tij më 16.01.2018, në Mitrovicë të Veriut.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara po akuzohen që si grup kriminal i udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në këtë rast, akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ishte i përfshirë edhe në rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Në orët e para më 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë. Një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm terrorist.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Disa prej personave të përfshirë në sulmin në Banjskë u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit kanë ikur në Serbi. Gati një vit pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij, kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën për këtë sulm, duke thënë tutje se pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Lista Serbe. Radoiçiq gjithashtu po kërkohet nga INTERPOL për rastin e Banjskës.