Bali Muharremaj mban premtimin, hap dy çerdhe në vitin e parë të qeverisjes

Në vitin e parë do të bëhen dy çerdhe në fshatra

Bali Muharremaj, Nëntor 2018

Në fshatin Duhël të Suharekës është hapur çerdhja e re. Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka deklaruar se hapja e kësaj çerdheje ka qenë premtim i mandatit të tij të dytë.

“Premtimin e dhënë e bëra realitet. Kjo është çerdhja e dytë e mandatit tim. Të ngjashme do të hapim edhe në vende tjera. Ky institucion parashkollor do t’u shërbejë jo vetëm fëmijëve të Duhlës por edhe të fshatrave tjerë si Bllacë, Javor, Luzhnicë dhe Dragaçinë”, tha Muharremaj.

Në këtë institucion parashkollor pritet të regjistrohen deri në 50 fëmijë. Të pranishëm në këtë përurim krahas nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve tjerë ishin edhe ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi, kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, zëvendësministri dhe kryetari i Nismës, dega në Suharekë, Sami Hajdaraj dhe zyrtarë të tjerë.

Kjo është çerdhja e dytë që kryetari i Komunës së Suharekës ka hapur gjatë këtij viti.

Muharremaj në tetor të këtij viti kishte hapur çerdhen e parë, në vitin e parë të qeverisjes.

Kryetari i Suharekës, në debatin për balotazh në DebatPernime të drejtuar nga Jeta Xharra, kishte premtuar se do të hapë katër çerdhe.

“Dy çerdhe në qytet, dy çerdhe në fshatra. Në vitin e parë do të bëhen dy çerdhe në fshatra”, kishte dhënë premtimin kryetari i Suharekës.

I kontaktuar nga KALLXO.com në fillim të muajit tetor, në lidhje me premtimin për dy çerdhe brenda vitit të parë të mandatit të tij, kryetari Muharremaj tha se të dyja do t’i plotësojë brenda afatit të premtimit që ka dhënë.

“Unë i kam premtuar katër çerdhe por tani po premtoj që do të jenë gjashtë. Çerdhja e parë është hapur sot, çerdhja e dytë, po flasim për çerdhet që i kam premtuar në vitin e parë nëpër fshatra do të bëhet brenda tri jave për shkak që duhet të dërgojmë edhe kërkesën edhe varet nga përgjigja e kërkesës”, tha Muharremaj për KALLXO.com.

KALLXO.com do të vazhdojë të monitorojë premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës që i kanë bërë në DebatPernime.

Shkruar nga Drenushë Ramadani

‘Hetimet Vazhdojnë’ për Forcat e Armatosura dhe Viza

by Erjonë Popova
NA NDIQNI

Send this to a friend