Isa Xhemajlaj - Foto: KALLXO.com
Arsyetimi ‘me Kos’ për Rënien e NISMA-s
Deklarata
“Njëra nga arsyet është se nuk ka pasë asnjëherë tetë kandidatë, konkretisht gjashtë kandidatë që është shpërndarë vota, kjo ka kushtu. Mendoj që numri i madh i kandidatëve e bën edhe shpërndarjen e votave. Është e vërtetë që edhe ne nuk kemi mujt me i kontaktu ndoshta votuesit dhe me i bind që të dalin në zgjedhje.”
Vlerësimi
Me kos
Artikulli
Kandidati i Nismës Isa Xhemaljaj e ka arsyetuar uljen prej 6 për qind të numrit të votave për partinë e tij me shtimin e kandidatëve. Sipas të dhënave të KQZ-së, në Drenas në 2016 garoi vetëm një kandidat më shumë sesa në vitin 2013.
Në arsyetimin e tij për uljen e numrit të votuesve në Emisionin “Jeta në Komunë”, Isa Xhemajlaj ka tentuar që ta arsyetojë veten duke thënë se ulja prej 6 për qind e kandidatit të përkrahur nga Fatmir Limaj është si pasojë e shtimit të numrit të kandidatëve.
Në zgjedhjet e 2016-ës Isa Xhemajlaj ka fituar 5 mijë e 293 vota, apo 321 vota më pak se Izet Ibrahimi kandidati i përkrahur nga Limaj në vitin 2013.
Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të Drenasit, sipas të dhënave të KQZ-së, kanë votuar gjithsej 21 mijë e 61 votues. Të pavlefshme kanë qenë 718 vota.
Kurse në vitin 2013 në zgjedhje kanë dalë 24 mijë e 305 persona. Në këtë numër janë përfshirë edhe 792 qytetarë të Drenasit, të cilët kanë votuar jashtë këtij qyteti. Bazuar në këto të dhëna, i bie që në zgjedhjet e 2016-ës kanë dalë 3 mijë e 244 qytetarë më pak se në zgjedhjet e vitit 2013.
http://kallxo.com/dallimi-ne-vota-nisma-s-2013-2016/