Albin Kurti e trash rrenën për zëvendësministrat
Deklarata
Jemi dakorduar që në Qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra
Vlerësimi
Rrenë
Albin Kurti është tërhequr edhe prej premtimit për numrin e zëvendësministrave që do të ketë qeveria e tij. Ai fillimisht ka thënë se qeveria Kurti do të ketë rreth 33 zëvendësministra, ndërsa sot ka deklaruar se në fakt do të emërohen 35 zv.ministra. Pra, në qeverinë e tij, do të jetë 5 ministri me nga 3 zv.ministra. Sado që numri i zv.ministrave është dukshëm me i ulët se sa i qeverisë paraprake që i kishte rreth 80 zëvendësministra, prapë Kurti nuk e ka mbajt fjalën e dhënë.
Artikulli
Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti brenda pak ditësh është tërhequr edhe prej premtimit për numrin e zëvendësministrave që pritet t’i ketë qeveria e tij.
Kurti fillimisht ka deklaruar se Qeveria e tij do t’i ketë rreth 33 zëvendësministra, ndërkaq së fundi ka thënë se do të jenë rreth 35 zyrtarë në këtë pozitë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të dielën me 2 shkurt doli në një konferencë të përbashkët me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, për të njoftuar se e kanë nënshkruar koalicionin për bashkëqeverisje. Ai tha se janë marrë vesh që ekzekutivi i ri t’i ketë rreth 33 zëvendësministra.
“Jemi dakorduar që në Qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra”, tha Kurti.
Ndërkaq, sot me 5 shkurt Kurti e rriti numrin e zëvendësministrave.
“Ne nuk i kemi përcaktuar emrat e zëvendësministrave ende, do ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur kjo gjë. Do t’i kemi gjithsej rreth 35 zëvendësministra nga mbi 80 sa kanë qenë dikur”, tha Kurti.
Duke marrë parasysh që qeveria e tij i ka 15 ministri, atëherë i bie që të paktën 5 ministri do t’i kenë nga 3 zëvendësministra.
Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin është formuar me 3 shkurt të këtij viti, pas më shumë se 4 muaj negociata ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LVV dhe LDK në bashkëqeverisje do t’i kenë 15 ministri, nga gjashtë secila parti si dhe 3 ministri të tjera janë caktuar për komunitetet jo-shumicë në Kosovë.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).