Xhafer Tahirii. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Vushtrrisë Heq Kufizimin për Analizat në QKMF

Xhafer Tahiri, kryetari i Vushtrrisë, bëri të ditur se ka hequr kufizimin me të cilin ishte paraparë që vetëm 50 persona të mund të kryejnë analizat në laboratorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Tahiri këtë kufizim e ka quajtur diskriminim në postimin e tij në Facebook.

“Pushteti i kaluar kishte vendosur një politikë diskriminuese ndaj qytetarëve duke kufizuar në 50 numrin e qytetarëve që mund të bënin analiza në laboratorin e QKMF-së në Vushtrri. Kjo politikë diskriminuezse tashmë i takon të kaluarës” ka shkruar Tahiri.

Ai gjatë vizitës së tij në QKMF në Vushtrri ka falënderuar këtë staf mjekësor dhe është zotuar se do t’i përkrahë ata.

“Do t’i përkrah punonjësit shëndetësorë por njëkohësisht do të kërkoj disiplinë dhe punë, respektim të orarit dhe shërbime cilësore” ka shkruar Tahiri.

Në prill të vitit të kaluar në Emisionin “Jeta në Kosovë” ishte raportuar se si në laboratorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare  në Vushtrri analiza e urinës kryhet pa sedimentimin e saj, apo edhe ekzaminimin me mikroskop.

Një muaj më vonë KALLLXO.com kishte shkruar për ndikimin e këtij emisioni për përmirësimin e analizave në këtë laborator.