Kryetari Peci kërkon kompetenca shtesë për Supremen për të luftuar korrupsionin

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot ka mbajtur konferencë për media, ku ka prezantuar Raportin Vjetor të Punës për vitin 2018 dhe Buletinin e Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Supreme.

Supremja duhet të ketë kompetenca shtesë që të mund të rikthejë në rigjykim rastet kur gjykatat e shkallëve të ulëta gabojnë në favor të të akuzuarve.

“Rastet e tilla duhet të trajtohen edhe me Kodin e Procedurës Penale, ashtu që t’i mundësohet Supremes që të ketë kompetenca shtesë,  në rastet kur ligji është shkelur në favor të të pandehurit, duke e shpallur të pafajshëm gjykatat e shkallëve më të ulëta, atëherë Gjykata Supreme të ketë kompetencë që edhe këto raste t’i kthejë në rigjykim ose ta ndryshojë aktgjykimin dhe të pandehurin ta shpall fajtor”, tha Peci.

Përpos ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, Peci tha se rastet e tilla duhet edhe të dërgohen direkt në komisionin për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve.

Peci vlerësoi se Supremja ka pasur një sukses të madh në trajtimin e lëndëve në vitin 2018.

“Në përgjithësi, konsideroj se Gjykata Supreme, gjatë vitit 2018 ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, ndoshta nga të gjitha vitet, 2018-ta është viti që është përmbyllur me më së paku lëndë të papërfunduara”, tha Peci.

Më tej, Peci tha se viti 2018 është përmbyllur me vetëm 100 lëndë të mbetura.

“Gjatë vitit 2018, Gjykata Supreme në punë ka pasur 1.371 raste, të pranuara kanë qenë 1.151 ndërsa të bartura nga viti 2017 kanë qenë 220 raste. “Gjyqtarët e kësaj Gjykate i kanë përfunduar 1.271 raste, ndërkaq janë trashëguar për vitin 2019 vetëm 100 sosh”, tha Peci.

Kryetari Peci vlerësoi si shumë të suksesshme punën e Departamentit Penal.

“Një arritje e veçantë është e degës penale, për shkak se vetëm 8 raste kanë mbetur të papërfunduara, dhe ato janë në proces. Përndryshe ka pasur një rritje të lehtë të ardhjes së lëndëve në gjykatë, por ne kemi arritur t’i përfundojmë në afat, ashtu siç kërkohet edhe me Konventën Europiane për të Drejta të Njeriut, që në kohë të arsyeshme t’ju përgjigjemi palëve në procedurë”, është shprehur ai.

Tutje Enver Peci ka bërë me dije se Gjykata Supreme punon në rastet e mjeteve të jashtëzakonshme juridike, të cilat në lëmin penale janë Kërkesa për Mbrojtje të Ligjshmërisë, “PML”, ku gjatë vitit 2018 kemi pasur 344 lëndë të pranuara, 458 të kryera dhe 466 lëndë, gjithsej në punë. Edhe Revizioni, si kategori tjetër më specifike, me 429 lëndë të pranuara dhe me 395 të kryera, ndërkohë që në punë kanë qenë gjithsej 457 sosh. Vlen të theksohet po ashtu, se ka gjyqtarë që në fund të vitit kanë qenë me të gjitha lëndët e përfunduara, ndërsa disa të tjerë me numër të vogël lëndësh, të cilat edhe për arsye procedurale nuk janë përfunduar ende”.

Kryetari ka folur para gazetarëve edhe për publikimet që Gjykata ka bërë gjatë vitit 2018, duke veçuar Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore, Buletinin e Praktikës së Gjykatës Supreme, si dhe i ka njoftuar gazetarët se së shpejti do të publikohet një Përmbledhje e Vendimeve të Gjykatës Supreme, në fushën pronësore, e cila po mundësohet falë bashkëpunimit me një projekt të USAID në Kosovë.