Kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota dhe gazetarja Jeta Xharra | Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i PDK-së në Klinë këtë muaj del para gjykatës si i akuzuar për keqpërdorim detyre

Një javë pasi u zgjodh me unanimitet kryetar i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, gjatë këtij muaji pritet të ulët sërish në bankën e të akuzuarve.

Sipas orarit të gjykatës seanca do të mbahet më 27 maj.

Ai po përballet me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës dhe mos deklarim të pasurisë.

Bashkë me të për keqpërdorim të detyrës po akuzohen edhe Enver Berisha, Fadil Gashi dhe Esat Raci.

Sipas prokurorisë Bashota dhe tre të tjerët, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katror, me qira nga 20 euro në muaj për vetveten dhe eksponentët e partive të tyre politike.

Në aktakuzë thuhet se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët me gjendje të dobët ekonomike.

Çmimi të cilin do ta paguanin katër të akuzuarit për ato banesa sipas Prokurorisë, ishte 20 euro në muaj.

Prokuroria pretendon se Sokol Bashota si kryetar i degës së PDK-së, në Klinë, Esat Raci si sekretar i PDK-së në Klinë, Enver Berisha kryetar i degës së AAK-së dhe Fadil Gashi si kryetari i LDK-së, në Klinë kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të kuvendit komunal për ndarjen e banesave.

Sipas Aktakuzës, Bashota në cilësi të kryetarit të Klinës në mënyrë kundërligjore kishte emëruar pesë anëtaret e komisionit vlerësues për ndarjen e banesave duke e pasur parasysh interesin e tij personal si aplikant në atë proces.

Kryesues i atij komisioni ishte përzgjedhur Prenk Palushi i cili tani është gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën themelore në Pejë, dega në Klinë.

Në aktakuzë përshkruhet se ish- kryetari Bashota e kishe udhëzuar kryesuesin e komisionit Prenk Palushi që ta prezantonte një listë prej 10 përfituesish si të para aprovuar.

Aktakuza përshkruan se në shtator të vitit 2009 kryetari Bashota kishte marrë 9 vendime për ndarjen e banesave duke e miratuar vendimin e kuvendit Komunal në të cilën si përfitues të atyre banesave ishin identifikuar 10 persona, duke përshirë vetë Sokol Bashotën dhe tre të akuzuarit e tjerë.

Prokuroria pretendon se pas marrjes së vendimeve përfundimtare për ndarjen e banesave, Sokol Bashota dhe Esat Raci nuk i kanë informuar fare kandidatët e pa suksesshëm, dhe i kanë fshehur dokumentet që kanë pasur të bëjnë me procesin e ndarjes së banesave.

Mbi ish- kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashota, po ashtu rendon edhe vepra penale për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shtatorit të vitit 2018.