Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Kryetari i nëndegës së LDK flet për rrahjen e sotme

Dhuna në LDK u shpërfaq edhe sot gjatë mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të nëndegës në Mat, e njohur si “Dega e Tretë presidenti Ibrahim Rugova”, në shkollën “Mitrush Kuteli”, në Prishinë.

Për këto përleshje kryetari i zgjedhur i nëndegës së Matit, Sherif Vrajolli po e fajëson  ish-kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, tashmë deputet i LDK-së Arban Abrashin.

Sipas tij, Vrajollit, Abrashi nuk punon për partinë, por për interesa personale.

“Ju ishit vetë dëshmitarë, se prezenca ishte e madhe mbi 320, në atë të parën kur është dashur komisioni kandidues këta ishin më pak, por nuk u pajtuan me votën, u numëruan dolën mbi 230 diku delegatë ‘për’, kundër ishin ata që kanë mbetur 60- 70. Kështu që mospajtimet e tyre dolën prej kontrollit, dhe nënkryetarin e goditën me grushte, u bë një përleshje. Mua më vjen keq. Këtu fajtor kryesor i këtyre edhe i Kodrës së Trimave, edhe i Lagjes së Spitalit, edhe krejt, është Arban Abrashi me një grup, i cili nuk po ka mëshirë, sikur të mos ishte në LDK, duhet të vijë turp”, cithet të ketë thënë ai, raporton RTV 21.

Vrajolli shtoi se këto veprime nuk janë bërë për interesa të LDK-së.

“Unë jam aktivist që 30 vjet edhe të kem pasoja, ndoshta edhe e kam thyer dorën kjo është turpi i LDK-së. Kisha apeluar që askush të mos jetë i lënduar, se këta për interesa të vet është duke i bërë, nuk janë për interesa të qytetarëve, nuk janë për interesa të LDK-së”, tha ai.

Kryetari i sapo zgjedhur i nëndegës së LDK-së në Mat tregoi arsyet e shpërthimit të incidentit në mes të dy grupeve.

“E gjitha filloi kur unë në komisionin e punës e propozova  dr. Sali Krasniqin dhe Musli Mehën, të cilët janë aktivistë më të vjetër, mund të them në LDK edhe 260-270 ishin për dhe 60 kundër, u pa…nuk u pajtuan edhe rrethi i tij i madh e bëri këtë”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë deputetin Arban Abrashi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Lidhur me incidentin e sotëm, Policia e Kosovës i ka arrestuar tre persona.