Ridvan Hoxha - Foto: KALLXO.com

Kryetari i gjykatës flet për seancën ndaj bosit të ‘Kobra City’

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, tha për KALLXO.com se koha e saktë e mbajtjes së seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj bosit të klubit të natës ‘Kobra City, Dibran Hoxha, nuk është caktuar ende.

Por ai u shpreh i bindur se kjo seancë do të mbahet gjatë pasdites së sotme.

“Ende nuk e kemi caktu orën mirëpo seanca do mbahët sot pasdite”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Dibran Hoxha, i njohur si pronari i “Kobra City”-t në Prizren është arrestuar sot nga Policia e Prizrenit.

Hoxha ka qenë në kërkim policor prej ditës së shtunë pasi që i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore personit H.B., babai i një ish-punëtori të “Kobra City”, një lokali nate në Prizren.

https://kallxo.com/arrestohet-bosi-i-kobra-city-t-ne-prizren-pas-disa-dite-arratie/

Lajmin për arrestimin e Hoxhës për KALLXO.com e ka konfirmuar Admir Shala, kryeprokuror i Prizrenit.

“Sot është arrestuar dhe nesër është seanca për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Shala për KALLXO.com.

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, personi H.B. ishte sulmuar me stupca dhe mjete të mprehta si thika dhe të ngjashme në terë trupin.

Lokali “Kobra City” është i njohur për shkak të valltares Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën “Kallashi”.

https://kallxo.com/kobrat-rrefehen-pas-zjarrit/

Në shtator 2015, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka trajtuar rastin e ngatërresave të Dibran Hoxhës me njerëz të ndryshëm dhe problemet e tij me drejtësinë.