Burim Berisha, LDK,Fushë Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i Fushë-Kosovës pronat e paluajtshme vetëm në emrin e tij

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka në emër të tij prona të cilat kapin vlerën 186 mijë euro.

Dy banesa, oborr me shtëpi, pemishte dhe toka bujqësore sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion janë të regjistruar vetëm në emrin e tij personal. Ai nuk ka prona të tilla në emër të bashkëshortes dhe dy djemve të tij.

Berisha gjatë debatit për zgjedhjet komunale 2017, pati thënë se nuk do ta regjistrojë pronën e tij si të përbashkët me gruan e tij.

Përveç këtyre pronave, kryetari i Fushë-Kosovës, posedon edhe një veturë të tipit Golf 6 që ka vlerën 10 mijë euro, e për çka ka deklaruar se ka marrë detyrim financiar në Raiffeisen Bank në vlerë prej 15 mijë euro për ta blerë atë.

Sipas deklarimit të AKK-së, në emër të fëmijëve Berisha ka deklaruar se ka 29 mijë euro para të gatshme për çka nuk ka dhënë informata se në cilin institucion bankar mbahen këto para.

Si kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha merr pagë mujore prej 1 mijë e 300 euro apo 15 mijë e 600 euro për një vit.

E bashkëshortja e tij, e cila është në marrëdhënie pune, merr vetëm 241 euro në muaj apo 2 mijë e 900 euro në vit.

Dy fëmijët e kryetarit Berisha sipas deklarimit në AKK punojnë në institucione shtetërore.

Njëri  djalë i cili punon në MAPL merr pagë mujore prej 450 euro apo brenda vitit 5 mijë e 400 euro ndërsa djali tjetër punon në ATK dhe merr pagë mujore prej 360 euro apo 4 mijë e 320 euro në vit.

Në total, pagat e familjes Berisha arrijnë vlerën 28 mijë e 220 euro brenda një viti.