Gjykimi i Kryetarit të Federatës së Atletikës

Kryetari i Federatës së Atletikës i akuzuar se nuk lajmëroi faturat fiktive

Halil Sylejmani, Kryetar i Federatës së Atletikës në Kosovë po akuzohet se nuk ka lajmëruar veprat penale që ishin kryer në federatë.

Më saktësisht, prokuroria po e akuzon se nuk kishte lajmëruar faturat fiktive që sekretari i kësaj federate dhe një punëtor i Ministrisë së Sportit i kishin dorëzuar për të mos lejuar kthimin e mjeteve në ministri.

Fatlum Graiçevci, sekretari i Federatës dhe Abdurrahman Shkodra, menaxher i sportit në MKRS kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës është deklaruar i pafajshëm për moslajmërimin e veprës.

“Jam i zhgënjyer dhe i prekur, nuk e pranoj absolutisht fajësinë” tha ai.

Prokuroria e shtetit kishte propozuar që procedura për Halilin të veçohej, ndërsa Fatlumi dhe Abdurrahmani të ftoheshin si dëshmitarë.

Fatlum Graiçevci dhe Abdurrahman Shkodra, të cilët kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Ndërsa, Halil Sylejmani, procedura e të cilit është veçuar, akuzohet për moslajmërim të veprave penale dhe kryerësve të tyre.

Fatlum Graiçevci dhe Abdurrahman Shkodra gjatë dëshmisë deklaruan se bordi e dinte se kishin tepruar mjete mirëpo jo edhe për faturën fiktive.

Dëshmitari Fatlum Graiçevci u deklarua se gjatë udhëtimit në Belgjikë për të marrë pjesë në gara, një bashkatdhetarë kishte ofruar mbështetje duke i strehuar në shtëpinë e tyre dhe siguruar ushqim. Për këtë arsyeje nuk ishin shpenzuar të gjitha mjetet që Ministria e Kulturës i kishte ndarë për këtë federatë.

Graiçevci tha se  kjo ishte bërë për të përmbyllur projektin dhe mos të lihet projekti si i dështuar.

Dëshmitari tjetër, Abdurrahman Shkodra, njëherësh edhe Sekretari i Federatës së Atletikës së Kosovës, deklaroi se vetëm ai dhe Fatlumi kanë qenë të njoftuar për mënyrën e përmbylljes së projektit.

Vetë i akuzuari, Halil Sylejmani, deklaroi se lidhur me këtë është vënë në dijeni në hetuesi.

Në bazë të aktakuzës,  në qershor të vitit 2015, Ministria e Kulturës kishte nënshkruar një memorandum për të ndihmuar financiarisht Federatën e Atletikës dhe sporteve në vlerë prej 6 522 euro të cilat mjete kanë qenë të destinuara për Klubin “Rogana” nga Kamenica për zhvillimin e garave sportive në Belgjikë.

Fatlum Graiçevci dhe Abdurrahman Shkodra edhe pse kanë qenë në dijeni që shpenzimet për këtë projekt janë mbuluar nga një bashkatdhetarë, kanë përpiluar raporte të rrejshme duke përdorur si dëshmi mbi shpenzimet me fatura fiktive, me qëllim që këto mjete të mos kthehen në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit por të mbesin në Federatën e Atletikës së Kosovës.

Ndërsa Kryetari i Federatës së Atletikës në Kosovë, Halil Sylejmani, akuzohet se nuk e ka lajmëruar veprën penale edhe pse ka qenë në dijeni për të.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 26 korrik.