Kryetari i Apelit: Kontestet e pasurisë janë më të vështirat për t`u zgjidhur

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala u fokusua në ligjin për familjen dhe kontestet e pasurisë, të cilat sipas tij janë më të vështirat.

“A mundemi ne me avancuar edhe një hap më shumë, të kemi një kontratë të lidhur para bashkësisë martesore, që do të ishte shumë më e lehtë me zgjidhë këtë kontest, që këto janë kontestet më të vështira”, tha Shala.

Sipas tij, kontestet martesore dhe ato të pasurisë janë prej kontesteve ma të vështira për tu zgjidhur nga gjyqtarët.

“Konsideroj që kontestet e zgjidhjes martesore dhe kontestet e pasurisë janë prej kontesteve më të vështira. Duhet me pasë durim shumë-shumë të madh gjyqtarët me zgjidh një kontest të tillë. Gjyqtari duhet me ditë me bo ndarjen, se çka është pasuri e veçantë, e çka është pasuria që është krijuar gjatë kohës martesore”, tha Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit.

Më pas ai foli edhe për ligjin për dhunën në familje, që siç tha po zbatohet, dhe këto lëndë trajtohen me prioritet si në shkallë të parë, ashtu edhe në shkallë të dytë.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, në tryezën e organizuar nga Zyra e BIRN në Kosovë u diskutua mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë dhe analizën se si ligji përfaqëson gratë.

Në tryezë marrën pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe përfaqësues te shoqërisë civile.

Analiza dhe sugjerimet nga kjo tryezë do të përfshihen në përpilimin e kërkesës për ndryshim të ligjit, nga BIRN Kosova.

Ky projekt mbështetet nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.