Ilustrimi: KALLXO.com

Kryetarëve të dorëhequr serbë u 'ecin' rrogat

Katër kryetarët e komunave veriore që në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, vazhdojnë t’i marrin pagat, shkruan KALLXO.com.

Edhe pse kishin paraqitur dorëheqjet e tyre, kryetarët e komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Ministria e Financave.

“I’u njoftoj se të gjithë Kryetarët e Komunave janë në listën e pagave dhe marrin pagat në mënyrë të rregullt, duke përfshirë këtu edhe kryetarët e  komunave në veri”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Ministrisë së Financave.

Kryetarët e këtyre komunave më 27 nëntor të vitit të kaluar, në mënyrë unanime kishin vendosur të japin dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë për të vendosur taksën prej 100% për prodhimet serbe.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës i konsideron të diskutueshme për kah ana ligjore, dorëheqjet e katër kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për hapat e ardhshëm, kishte shkruar Radio Evropa e Lirë para disa ditësh.

https://kallxo.com/doreheqjet-e-papranueshme-te-kater-kryetareve-te-komunave-veriore/

 

Në anën tjetër, këtë shembull nuk e kanë ndjekur edhe kryetarët e komunave tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Në Kosovë janë edhe 6 komuna tjera që udhëhiqen nga kryetarë serbë.

Në anën tjetër, pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, kryetarit të Mitrovicës së Veriut, kishte shtyrë homologun e tij nga jugu i Mitrovicës që të nis procedurat për bashkimin e këtyre dy komunave në një të vetme.

Agim Bahtiri madje kishte ftuar mbledhje të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, me vetëm një pikë të rendit të ditës, ndryshimin e ligjit për bashkimin e Mitrovicës.

https://kallxo.com/bahtiri-bashkimi-i-mitrovices-ide-e-imja-personale/

Pagat e kryetarëve të komunave janë të ndara në disa kategori. Kryetarët e komunave që numërojnë deri në 51 anëtarë të Kuvendit Komunal, marrin pagën bruto 1 mijë e 100 euro, me deri në 41 anëtarë, 1 mijë euro, deri në 31 anëtarë, 950 euro.