FOTO - Magazina Informative - RTK3

Kryeprokurori i Prishtinës ulet në debat me deputetin e akuzuar

Në mbrëmjen e 8 marsit, në Radio Televizionin e Kosovës – në emisionin Magazina Informative, “55 minuta”, në një nga edicionet e këtij emisioni me temë “Emërtimet pa merita”, përballë njëri tjetrit u panë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Imer Beka, deputeti nga radhët e NISMA-së Milaim Zeka, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi si dhe Shaip Havolli, shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion.

Ajo çfarë u duke e çuditshme qe prania e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, në një tavolinë bashkërisht me një person me aktakuzë dhe nën hetime siç është deputeti Milaim Zeka.

Kodi i Etikës Profesionale për prokurorë parasheh parimet në bazë të të cilave janë të parapara sjelljet e prokurorëve si në jetën profesionale ashtu edhe në jetën private.

Në një nga pikat e këtij Kodi thuhet se “prokurori duhet të shmangë çdo kontakt dhe aktivitet privat ose biznesor, i cili mund të ngjallë dyshime për punën e tij në Prokurorinë e Shtetit. Kjo vlen gjatë ushtrimit të detyrës dhe në jetën private”.

Një tjetër pikë e këtij ligji thekon se prokurorët po ashtu “duhet të përmbahen nga çdo lloj sjellje që mund të nxitë dyshime se është person politik”.

Çka nënkupton se shoqërimi i prokurorëve me persona të cilët kanë aktakuza apo janë duke u hetuar është cilësuar si sjellje e pahijshme. Kjo për shkak se një veprim i tillë shumë lehtë mund të ngjallë dyshime lidhur me anshmërinë e prokurorëve.

Rasti kur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës pranon që të debatoj në një studio televizive me një person i cili është i akuzuar si dhe nën hetime lidhur me veprën penale të kanosjes, është parë si sjellje e pahijshme nga opinioni publik.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, prokurori kjo e cila është duke e hetuar deputetin Milaim Zeka nën dyshimet për veprën penale të kanosjes, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se kush janë mysafirët e ftuar përveç shefit të AKK-së Shaip Havollit.

Beka për KALLXO.com tha dhe se në momentin që ka hyrë në studio e ka parë që i pranishëm ka qenë edhe i akuzuari/deputeti Milaim Zeka me ç’rast tha se ishte ndjerë shumë i habitur.

Por, Beka nuk ka dashur të flasë se pse ka pranuar që të vazhdojë të qëndrojë në debat me një person ndaj të cilit rëndon një aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale dhe ndaj të njëjtit janë duke u zhvilluar hetime nën dyshimet për veprën penale të kanosjes.