Kryeministrja e Zelandës së Re: Sulmuesi kërkoi famë, unë nuk do t’ia përmend kurrë emrin

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është zotuar që të mos e thotë kurrë emrin e sulmuesit në xhaminë në Christchurch.

“Ai kërkoi shumë gjëra nga akti i terrorizmit, por njëra ndër to ishte fama – prandaj nuk do të më dëgjoni që ta përmend emrin e tij”, tha Ardern në një fjalim emocional në parlamentin e Zelandës së Re, raporton BBC.

Të shtënat e të premtes së kaluar në dy xhami lanë 50 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar.

Australian Brenton Tarrant, 28 vjeçar, i vetëdeklaruar supremacist i bardhë, është akuzuar për vrasje.

Çfarë tha kryeministrja në parlament?

Kryeministrja ka udhëhequr një takim të veçantë në parlament të martën.

Ajo tha: “Ju lutem, përmendni vetëm emrat e atyre që humbëm më shumë se emrin e njeriut që i mori, ai është terrorist, ai është kriminel, është ekstremist, por, kur flas, nuk dua ta përmend ”

Zonja Ardern siguroi deputetët se sulmuesi do të “përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi banorët e Zelandës të pranonin dhimbjen e komunitetit mysliman këtë të premte  e që është dita e adhurimit islam.

Zonja Ardern tashmë ka njoftuar se ligjet e armëve të kombit do t’i nënshtrohen reformave dhe se detajet do të jepen brenda disa ditësh.

Kryeministrja gjithashtu u bëri thirrje platformave në mediat sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorizmin, pasi sulmuesi në Christchurch ka transmetuar sulmin në kohë reale në Facebook.

“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të pranojmë që këto platforma ekzistojnë dhe se ajo që thuhet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku ato publikohen”, tha ajo, raporton BBC.