Kryeministri Rumun Heq Dorë nga Eskorta Zyrtare

Kryeministri rumun Dacian Ciolos të premten lajmëroi se ai nuk do ta përdorte më autokolonën e tij për të shkuar në punë, pasi nuk kishte nevojë për të dhe nuk donte të pengonte trafikun në Bukureshtin tashmë të mbipopulluar.

“Bie dakord me mbrojtjen minimale që nevojitet për një figurë publike. Por duhet të kuptojmë se edhe një kryeministër është së pari qytetar, me të njëjtat të drejta si kushdo tjetër dhe vetëm pastaj është një person i rëndësishëm, por gjithsesi i përkohshëm në një pozicion publik,” tha Cialos.

Deklarata erdhi përpara se të merret një vendim i rëndësishëm nga parlamenti javën e ardhshme, për të votuar mbi kërkesën e prokurorëve për heqjen e imunitetit të ish zv/kryeministrit Gabriel Oprea.

Oprea, që është një senator, mund të përballet me gjyq për përdorimin e autokolonës së tij në mënyra që prokurorët thonë se nuk kishte të drejtë.

Prokurorët thanë se Oprea, që ishte gjithashtu ministër i brendshëm, e përdori autokolonën e tij pesë herë në ditë nga janari 2014 në nëntor 2015, për biznes zyrtar, vizita private, takime për festa dhe madje për të shkuar në restorante.

Mënyra si e përdori ai autokolonën e tij doli në dritë në tetor, kur një oficer policie u plagos fatalist teksa ishte pjesë e autokolonës së Oprea.

Oficeri 28-vjeçar po shpejtonte në një kryqëzim trafiku për të hapur rrugën për autokolonën e zv kryeministrit në shi dhe shikim të pakët.

Për disa ditë, policia dhe ministria e brendshme e mbajti sekret informacionin rreth aksidentit vdekjeprurës.

Oprea tha se ai nuk e dinte që polici kishte vdekur teksa shoqëronte autokolonën e tij dhe këmbënguli se nuk kishte shkelur asnjë ligj.

Ai dha dorëheqjen në nëntor, së bashku me kryeministrin Viktor Ponta pas protestave masive mbi zjarrin e rënë në një klub nate ku vdiqën 63 persona.

Rumania ende konsiderohet vendi më i korruptuar në BE, por kohët e fundit ka bërë progres duke arrestuar zyrtarë të lartë për shkelje.