Pamje nga një mbledhje e qeverisë - Foto: ZKM

Kryeministri Mustafa Emëron Katër Ministra të Rinj

Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa ka emëruar ministër të Financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, ministre të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shefen e deritashme të Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ministër të Infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.

Më pas, kryeministri Mustafa do të marrë vendim për emërimin edhe të ministrave të tjerë në vend të ministrave të deritashëm të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Më 2 gusht, kryeministri Mustafa ka marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të deritashëm të kabinetit, përkatësisht të zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, si dhe ministrave Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami, Rasim Demiri, Kujtim Shala dhe Arban Abrashi.

http://kallxo.com/kryeministri-liron-nga-detyra-ministrat-e-zgjedhur-deputete/

Këta ministra janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, të cilat u mbajtën pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 10 maj si rezultat i rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa të njëjtën ditë.