Mbledhja e Qeverisë (Arkiv)

Kryeministri - ministrave: Të jeni precizë në raportim dhe trajtoni me prioritet rekomandimet e BE-së

Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga vartësit e tij që t’i trajtojnë me prioritet ngecjet e dala nga Raporti i Vendit i Komisionit Europian. Po ashtu ai u kërkoi ministrave që të jenë precizë dhe të raportojnë qartë për ngecjet në procesin e reformave karshi ministrive që drejtojnë.

Në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Europian, ku u fol për gjendjen rreth zbatimit të Agjendës për Reforma Europiane (ERA), kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se janë në prag të vendimeve të mëdha dhe se duhet intensifmim i punës dhe përpjekjeve për reformat e kërkuara nga BE.

“Jemi në prag të vendimeve të rëndësishme, siç është liberalizimi, kërkohet intensifikim i përpjekjeve për të përmbushur obligime që dalin nga ERA. Synimi strategjik i qeverisë është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, tha Haradinaj.

Ai u kërkoi ministrave që t’i trajtojnë me prioritet të shtuar ngecjet të cilat kanë dalur nga raporti i vendit (raporti i progresit), për Kosovën.

Haradinaj u kërkoi po ashtu vartësve të tij që të jenë preciz dhe të raportojnë qartë për ngecjet në procesin e reformave karshi ministrive që drejtojnë.

Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha tha se është koha e fundit që Kosova të përmbush kriteret e dala nga ERA.

“Është qershori, gjysma e vitit ka shkuar, është shumë e rëndësishme që obligimet që kemi marrë nga BE të tregojmë që kemi vullnetin dhe përkushtimin që të pohojmë rezultatet që na qojnë përpara në procesin integrues”, tha ajo.

Raportimi i ministrave po bëhet me dyer të mbyllura.