Kryeministri Haradinaj priti kampionin e Kosovës në futboll, KF Drita (FOTO)

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka pritur sot në zyrën e tij lojtarët e klubit të futbollit ‘Drita’ nga Gjilani, pas shpalljes kampion i Kosovës për edicionin 2017/2018.

Gjatë takimit kryeministri Haradinaj i ka uruar përfaqësuesit e klubit të futbollit “Drita”, për suksesin e arritur, duke iu ofruar mbështetje në të ardhmen, pasi që siç tha kryeministri Haradinaj sportistët janë shembulli më i mirë i përfaqësimit të Kosovës në vend dhe jashtë vendi.

“Klubi ‘Drita’ përveç talentëve dhe sportistëve, ka dhe një histori të mirë dhe ne krenohemi me themeluesin e saj, Selami Osmani – Bezi”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, drejtori i klubit Feti Murseli, tha se fitorja e tyre ishte meritë e gjithë futbollistëve të KF ‘Drita’.

“Faleminderit për pritjen  dhe gjithë kontributin tuaj që po e bëni për sportin në përgjithësi”, tha Murseli.

Ai tha se do të përgatiten për garat ndërkombëtare në mënyrë që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës, në mënyrën më të mirë.

Pas kësaj, kryeministri Haradinaj e nderoi Klubin Futbollit ‘Drita’ me hartën e artë të Kosovës, ndërsa mori si dhuratë nga klubi fanellën me numrin 10 dhe emrin e tij.

Klubi ‘Drita’ nga Gjilani u shpall të dielën kampion, pasi që në lojën e fundit luajti baras me pretenduesin kryesor për titullin e kampionit – FC Prishtina.