Foto: ZKM

Kryeministri Haradinaj kritikohet për emërimin Sylejman Selimit si këshilltarin e tij

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u kritikua nga aktivistët e të drejtave të njeriut për emërimin e të ish të dënuarit për krime lufte, të liruar së afërmi, Sylejman Selimi, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si këshilltarin e tij politik.

 

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe Serbi thanë të martën se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte gabuar që kishte emëruar Sylejman Selimin si këshilltar të tij për shkak të dënimit të tij për krime lufte.

“Njerëzit që kanë kryer krime lufte nuk i përkasin institucioneve shtetërore të Kosovës. Vendimi për të emëruar Selimin si këshilltar politik tregon mungesën e seriozitetit dhe mungesën e angazhimit të qeverisë ndaj drejtësisë, pajtimit dhe paqes,” tha YIHR në një deklaratë.

Selimi u lirua me kusht më 25 janar pasi kreu më shumë se pesë vjet nga dënimi i tij me shtatë vjet burg për krime kundër civilëve serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Selimi u emërua si këshilltar politik i kryeministrit javën e kaluar,” tha për BIRN të martën Avni Arifi, kreu i zyrës së Haradinajt.

YIHR tha gjithashtu se zyrtarë të tjerë të Kosovës, siç është presidenti Hashim Thaçi, e kanë përshkruar Selimin si një hero shqiptar, duke i quajtur deklarata të tilla “shqetësuese dhe të papranueshme”.

Selimi u gjet fajtor për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar burgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.

Ai u dënua me tetë vjet burg nga gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në maj të vitit 2015, por Gjykata e Apelit në Prishtinë e uli dënimin me shtatë vjet burg në tetor 2016.

Pas lirimit të tij, Selimi do të monitorohet nga Shërbimi i Lirimit me Kusht i Kosovës deri më 30 Tetor 2020.

Ai duhet të merret gjithashtu në pyetje nga Prokuroria e Specializuar me bazë në Hagë, e cila po heton krimet e kryera gjatë dhe pas luftës.

“Besoj se do të merrem në pyetje javën që vjen. Nuk e di në çfarë cilësie jam thirrur,” tha Selimi për televizionin T7 të hënën.

Selimi ishte anëtar i “Grupit të Drenicës” i UÇK-së, i cili ishte burimi i shumë liderëve politikë të Kosovës pas luftës, duke përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi.

Pas luftës, Selimi u emërua si komandant i Gardës së Kosovës, më pas komandant i Korpusit Mbrojtës të Kosovës.

Ai më pas u bë komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2011, kur u emërua ambasador në Tiranë.

Tre ish-anëtarë të tjerë të grupit të Drenicës të UÇK-së, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi, gjithashtu u dënuan për torturimin e civilëve në qendrën e burgimit në Likovc.

Në qershor të vitit 2018, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se Gjykata e Lartë duhet të rishikojë çështjen kundër anëtarëve të grupit të dënuar të Drenicës.