Kryeinspektori i dënuar për korrupsion shpëton pa asnjë ditë burg

Kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve, Nuredin Bislimi i cili  kishte pranuar se kishte marrë ryshfet, në janar të vitit 2014 ishte dënuar me 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, por mund të shpëtojë pa vuajtur asnjë ditë nga ky burg i ‘prerë’ nga gjykata.

Ai dënimin nuk e vuajti asnjëherë pasi arratis nga Kosova.

Tani, pesë vite nga dënimi, ish-Kryeinspektori Nuredin Bislimi mund të kthehet i lirë në Kosovë pa frikën se mund të prangoset dhe dërgohet në burg.

Kjo pasi me datën 8 maj 2019, Gjykata e Pejës mori vendim për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit ndaj ish-Kryeinspektorit.

Lajmin së dënimi ndaj Bislimit është parashkruar e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

“Me datën 8 maj 2019, Gjykata ka marrë aktvendim për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit”, tha Zhuti për KALLXO.com.

Bislimi akuzohej nga Prokuroria e Pejës se gjatë vitit 2013 në cilësinë e kryeinspektorit ka kërkuar përfitime për vete.

Sipas prokurorisë ai ia kishte ndërprerë punimet seperacionit “Elezaj“ në Grabanicë të Klinës, e mandej nga i dëmtuari Bedri Elezaj, i cili është pronar i seperacionit kishte kërkuar shumën prej 1.000  eurosh, me çka ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

https://kallxo.com/prokurorja-inspektori-u-dergua-ne-dreka-e-darka/