Gjergj Kqira, kryefamiljar i gjashtë të akuzuarve për fajde e detyrim.

Kryefamiljari i Kqirajve të Akuzuar për Fajde: Rruga Jonë Deri te Pasuria

Në grupin e 14 personave që po gjykohen për krim të organizuar, fajde, detyrim, shpëlarje të parave, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe të armëmbajtjeve pa leje, gjashtë prej të akuzuarve janë nga familja Kqira e Prizrenit.

Katër nga të akuzuarit e kësaj familje Tunë, Gjon, Marian dhe Kastriot Kqira që 18 muaj vazhdojnë të jenë në paraburgim. Ndërsa paraburgimi u është ndërprerë Gjekson e Gëzim Kqirës, të cilët po vazhdojnë të gjykohen në liri.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast, i cili duket të jetë njëri nga rastet më të mëdha që po gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Gjergj Kqira, kryefamiljari i familjes Kqira përmes KALLXO.com, ka bërë një reagim në emër të familjes Kqira, ku tregon për fitimet e pasurisë së kësaj familje.

Në vazhdim është letra e plotë e Gjergj Kqirës, i cili flet në emër të djemve të tij të ndodhur në paraburgim.

Duke parë titujt bombastikë dhe skandalozë të disa portaleve dhe gazetave lidhur me gjykimin e padrejtë dhe qesharak ndaj anëtarëve të familjes Kqira nga Prizreni, ne si familje ndihemi të obliguar moralisht që ta sqarojmë për opinionin e gjerë këtë barrë që na peshuan në qafë pa fajin tonë.

Familja jonë ka reaguar edhe herë të tjera kur e kemi parë të arsyeshme dhe ju bëjmë me dije se gjithmonë do të reagojmë kur bëhet fjalë për cenimin e të drejtave tona. Puna na ka shoqëruar çdoherë, qysh nga paraardhësit tanë.

Fillimisht na lejoni të sqarojmë se pasuria e familjes tonë nuk është pasuri marramendëse siç pretendojnë të tjerët, ne nuk kemi dhe as nuk kemi pasur ndonjëherë jetë luksi, por jeta jonë ka qenë gjithmonë me punë, me të mirat që i kemi krijuar vetë, natyrisht të varfër s’kemi qenë asnjëherë. Për të pasur këtë jetë me mirëqenie, familjes tonë iu desh shumë punë, mund e djersë e të gjashtë vëllezërve.

Fëmijëria jonë e hershme ishte me sakrifcë e punë. Ne ishim gjashtë vëllezër dhe dy motra që u rritëm pa praninë e babës tonë pasiqë baba jonë punonte në furrën e tij në atë kohë në qendër të Zagrebit në Kroaci dhe kishte edhe një dyqan në Bosnje dhe Hercegovinë.

Babën tonë e takonim një herë në vit dhe kjo ishte kënaqësia jonë më e madhe. Gjithashtu në kohën kur baba jonë punonte jashtë vendit me bizneset e tij, axha jonë merrej me bujqësi përkatësisht me rritjen e deleve në fshatin tonë, Serbicë e Epërme.

Kjo i vërteton edhe fjalët në fillim se familja jonë asnjëherë nuk ka jetuar në luks, por gjithmonë duke u munduar me punë për sigurimin e jetesës së familjes. Atë rrugë më pas e vazhduam edhe ne gjashtë vëllezërit disa duke u marrë me kultivimin e bujqësisë e disa edhe vazhduan rrugëtimin jashtë vendit në Gjermani.

Puna ecte gjithmonë mirë, një sezon me shitblerjen e pemëve dhe perimeve ka shkuar deri në vlerën e 100 mijë markave gjermane.

Pas disa vitesh punë e fitime të disa vëllezërve në Gjermani, ata vendosën të kthehen dhe vendosën të marrin një restorant në Ulqin aty ku do të angazhoheshim e gjithë familja. Fitimet në atë kohë ishin të mëdha dhe puna në restorant na siguronte të ardhurat tona, pasiqë asokohe Ulqini frekuentohej nga një numër i madh i turistëve nga e gjithë Evropa.

Për vite me radhë familja kurseu paratë nga gjithë ajo punë disavjeçare, derisa në Ulqin filloi periudha kur turizmi filloi të bie dhe kështu ne u kthyem sërish në vendin tonë, në Prizren.

Pas kthimit tonë, ne morëm me qera restorantin ”Flamengo” dhe aty vazhduam punën së bashku. Duhet cekur se të gjitha shpenzimet e restorantit si: verën, mishin, rakinë, pemët e perimet, i siguruam të gjitha këto nga punimet e tokës tonë dhe i vetmi shpenzim që kishim ishte qeraja e restorantit.

Në të njëjtën kohë e zgjeruam biznesin tonë dhe vazhduam me hapjen edhe të dyqanit të rrobave (tekstilit) emri i të cilit ishte “6 vëllezërit”.

Falë Zotit bizneset po ecnin shumë mirë dhe fitimet po rriteshin shumë. Nga kërkesa e madhe e blerësve, njëri nga vëllezërit udhëtonte çdo javë në Turqi për t’u furnizuar me mall, madje udhëtimi i tij bëhej me autobus vetëm me qëllim që të mos bënim shpenzime të panevojshme dhe gjithmonë duke e ruajtur traditën e kursimit.

Me kursimet e mbledhura ne arritëm ta blejmë kafiterinë “Shatërvan 2”. Kjo erdhi pas një marrëveshje që familja jonë bëri me ish pronarin e lokalit me të cilin njiheshim personalisht.

Të gjithë ata që jetojnë me vite në qytetin e Prizrenit e dinë se sa fitime sjell ky lokal. Pra me një fjalë pas shumë punëve dhe angazhimeve pa hile familja jonë arriti të bëhej pronare e këtij lokali. Rrugëtimi jonë vazhdonte të përparonte dhe secili nga ne vëllezërit ishim në kërkim të hapjes së bizneseve të reja.

Në kuadër të angazhimeve që kishim familja jonë, përkatësisht vëllai ynë i ndjerë u mor edhe me tregtimin e ligjshëm të arit. I ndjeri gjatë punës së tij si argjendar la pas vetes një sasi të madhe të arit.

Lokalin që e kishim marrë me qera në qendër të Shatërvanit “Hollyëood”, kishim vendosur ta mbyllim për një periudhë sepse pikërisht para atij lokali vëllai ynë kishte ndërruar jetë. Pasi pronari i lokalit “Hollyëood” vendosi ta nxjerrë në shitje lokalin, ne vendosëm ta blejmë atë lokal sepse aty kishim pasur fitime të mira dhe tanimë me atë lokal e kishim krijuar një lidhje të fortë emocionale në shenjë kujtimi për vëllain e ndjerë.

Lokali në fjalë vazhdon të punon ende por tani me emrin “Kristal”. Bizneset tona përparonin vazhdimisht dhe një fitim e sillte tjetrin. Përpos bizneseve që ne i zotërojmë edhe sot e që luhaten kohë pas kohe nga kriza ekonomike në Kosovë, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnik punës tonë në fshat me bujqësi e blegtori, duke punuar tokën e gjithashtu duke u marrë me tri ferma që i posedojmë tani.

Toka jonë e punuar përpos që siguron ushqim për tri fermat tona, ajo sjellë edhe mijëra kilogramë grurë që i dorëzojmë në mullinj vit për vit.

Ne si familje kemi shumë për të treguar për rrugëtimet tona të gjata e të shoqëruara me shumë vështirësi dhe do të duheshin ditë të tëra për ta përmbledhur me fjalë punën tonë. Nëse ka të tillë që mendojnë se pasuria jonë u krijua në mënyrë të kundërligjshme gabohen rëndë. Ne e kemi dëshmitar Zotin, djersën dhe mundin e gjithë familjes.

Dhe krejt në fund, ne ende besojmë fuqishëm në organet e drejtësisë. Kemi shpresë se drejtësia do ta zbardhë këtë çështje duke mos anuar nga grupet e caktuara, individë të caktuar dhe interesat e tyre që shihet qartë se përparimtarët nuk i duan dhe i kanë therrë në sy.

Me respekt,

Gjergj Kqira

 

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i këtij rasti, e në vazhdimësi.

http://kallxo.com/gruda-pagova-500-euro-ne-dite-kamate-te-fajdeve/

http://kallxo.com/prokurorja-kqirajt-dhe-te-tjeret-u-moren-me-fajde/

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-14-personave-per-krim-te-organizuar-dhe-fajde/

http://kallxo.com/aksioni-policor-ne-familjen-e-dyshuar-per-fajde-video/