Tryeza e organizuar nga PIPS me temën "Politikën e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”, Foto: Kallxo.com

Dialogu me Serbinë dhe anëtarësimi në OKB ndër sfidat dhe prioritetet e diplomacisë në Kosovë

Në tryezën e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) për të diskutuar për “Politikën e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”, Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli ka thënë se sfida kryesore e Kosovës është integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe dialogu me Serbinë.

“Sfida e jonë kryesore është integrimi i Kosovës në organizata të ndryshme edhe pse Kosova ka bërë hapa të mëdhenj, është pjesë e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe është njohur nga 117 shtete të botës. Sfida kryesore e jona është integrimi i Kosivës dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe disa organizata të tjera”, tha Pacolli.

Në këtë tryezë ku u fol për politikën e jashtme të Kosovës ka thënë se në rrugëtimin e Kosovës kundërshtimet e Serbisë janë shumë të mëdha në çdo aspekt.

“Tani po ballafaqohemi me një agresivitet të Serbisë të paparë më parë. Këtu po e shoh që puna jonë është edhe më e madhe. Kosova duhet të shkoj te shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe të loboj për Kosovën. Fronti tjetër është të luftojmë për njohje të reja, Serbia i ka targetuar shtetet që nuk e kanë njohur Kosovës dhe mundësisht të bllokoj kontaktin me Kosovën, biseda jonë e parë me këto shtete shkon për të spjeguar rastin e Kosovës. Sfida tjetër është të ruhen marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur Kosovën”,  theksoi Pacolli.

Ndër të tjera ministri Pacolli foli edhe për problemet në të cilat ka hasur kur ka ardhur në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Stafi diplomatik i cili ka qenë më shumë politik. Sfidë ka qenë balancimi mes të nominuarve politik dhe atyre me karrierë, sfidë është e gjinia, qëllimi im deri në fund të mandatit eshtë të balancohet gjinia, të nominuarit politik dhe ata me karrierë diplomatike”, shtoi Pacolli.

Pacolli ka njoftuar se shpejtë do të dalin me ligjin e ri për politikat e jashtme.

“Jemi munduar ta adaptojmë nga shtetet normale që janë pjesë e BE së”,tha Pacolli.

Behxhet Pacolli si një sfidë tjetër në MPJ e ka përmendur gradimin për të cilin tha se kur kishte shkuar kishte gjetur 80 gradime që kishin ndodhur dy apo tre ditë para se të ndryshohej qeveria.

Ministri tha se janë duke krijuar mekanizma të bashkëpunimit me rajonin dhe pse jo me Serbinë.

“Jemi në krijim të një Komiteti për ndërlidhjen me vendet e rajonit në fushën e artit, aty ku flitet gjithçka por jo për politikën”,  tregoi ai.

Si sfidë tjetër Pacolli e radhiti edhe dialogun me Serbinë. Më tej ai ka thënë se nga jashtë ai e ka parë dialogun si një garë por sipas Pacollit dialogu është instrument ku tensionet bijnë, krijohet një balancim dhe arrihet marrëveshja.

“Dialogu tregon se sa serioz jemi. Janë dy marrëveshje shumë të rëndësishme, Interkoneksioni dhe Asociacioni, janë dy tema të rënda por nëse ekziston vullneti te të dy palët do te arrihet konsensusi”, ka thënë ministri Pacolli.

Sipas të parit të MPJ-së dialogu përfundimtar me Serbinë duhet të filloj këtë vit dhe duhet të bazohet në tri kushte.

“Të jetë i limituar me kohë, duhet të bëhet kërkesë që dialogu të mos zgjasë me vite se nuk kemi kohë për të humbur, përberja e grupit dialogues duhet të jetë më ndryshe, të ketë në përbërje anëtarë të parlamentit, shoqëria civile dhe temat që duhet të diskutohen duhet të jenë tema të zgjedhura, që drejtpërdrejtë ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në fund të ketë një pajtim gjithpërfshirës, e ashtuquajtur si ‘kontratë e paqes’ ku Serbia nuk e pengon shtetndërtimin dhe ecjen përpara të Kosovës. Dialogu përfundimtar që sipas të gjitha kushteve duhet të filloj këtë vit”, ka theksuar Pacolli.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme ka theksuar se dy shtyllat e pavarësisë së Kosovës janë politika e jashtme dhe fusha e mbrojtjes dhe e sigurisë.

“Në bisedimet e vitit 2007 kur është biseduar për statusin e Kosovës, një ndër propozimet e Serbisë ka qenë më shumë autonomi e më pak pavarësi, ata nuk kanë dashur pavarësi për politikën e jashtme dhe në fushën e mbrojtes, kjo dëshmon se dy shtyllat e pavarësisë janë këto dy fusha”, ka rikujtuar ajo.

Osmani është shprehur se problem në këtë qeveri janë ndërrimi i vazhdueshëm i prioriteteve.

“Një ndër problemet është ndërrimi i prioriteteve, nëse e shohim në fillim programin e qeverisë deri në vitin 2021 shohim që dialogu me Serbinë vjen i pesti me radhë, por dhjetë faqe më vonë dialogu me Serbinë është i pari, vjen para njohjeve, para bashkëpunimit me shtetet e tjera. Johannes Hanh ka thënë që e ardhmja e Kosovës varet nga dialogu me Serbinë dhe për mua kjo është shqetësuese. E ardhmja nuk do të duhet të varet nga ky proces por nga puna e saj”, ka potencuar Osmani në tryezën për politikë të jashtme.

Kryetarja e Kominisonit për Politikë të Jashtme ka deklaruar se Komisioni ka në plan të bëj bizita bilaterale që lidhen me liberalizimin e vizave te disa shtete anëtare që kanë ende dilemma dhe të bëj vizita te shtetet jo njohëse në vendet e Amerikës Latine.

Osmani ka përmendur angazhimin e Serbisë në lobim kundër Kosovës duke thënë se Kosova duhet të ketë plan konkret për ta kundërshtuar këtë.

“Dëgjuam edhe nga ministri se Serbia po shpenzon shumë energji për lobim kundër Kosovës por asnjëherë nuk po flitet se çka po bën Kosova për ta kundërshtuar një iniciativë të tillë. Duhet të kemi një plan konkret për të mbuluar rajone të caktuara”, ka theksuar Osmani.

Vjosa Osmani tregoi se kanë themeluar mbi 50 grupe parlamentare të miqësisë, dhe sipas saj përveç me vende të Evropës ka grupe të miqësise edhe me vende të tjera në kontinente të tjera.

“Grupe të miqësisë janë krijuar edhe për Izraelin dhe Bosnjën që nuk ka pasur më herët”, ka thënë ajo.

Sipas Osmani asnjëra nga kushtet e përmendura nga Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli për dialogun me Serbinë nuk është propozuar në platformën e dialogut.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell tha se dialogu apo marrëdhëniet me Serbinë janë jetike për Kosovën, politika e jashtme është jetike për Kosovën.

“Politika e jashtme varet nga vlerat dhe interesat. Vlerat e Kosovës kanë qenë të orientuara nga demokracia, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria. Kjo është themeli i Kosovës. Ky është burimi i orientimit të Kosovës. Veprat kanë më shumë peshë se sa fjalët. Nuk po flas vetëm për të drejtat e shtetsave turq, por shkeljet e vlerave nuk harrohen”, ka theksuar O’Connell.

Ambasadori britanik ka thënë se është shumë e rendësishme që çdo shtet duhet të ketë një strategji të qartë.

“Tani ka politikë për 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, është rëndësishme që të ketë një qasje gjithpërfshirëshë në të ardhmen. E rëndësishme për Kosovën ështe thirrja e investitorëve dhe kjo nuk mjafton vetëm nga ambasadat dhe konsullatat por duhet të ketë një structure”, është shprehur O’Connell.

Po ashtu ambasadori ka theksuar se Kosova duhet të jap kontributin e saj në botë në përputhje me resurset që i ka.

Më tej ambasadori britanik ka thënë se intervebnimi i NATO-s në vitin ‘99 në Kosovë është bërë për shkak të vlerave e jo për shkak të interesit.

“Sjellja e Kosovës është shumë e rëndesishëm për të bindur një gjeneratë të re të politikës në botë që nuk kanë dijeni se çka ka ndodhur. Nëse shkoni nëpër qeveritë evropiane, shihni që për vendet e Ballkanit flitet për krimin e organizuar, migrimin ilegal dhe tash ekestremizmin. Kosova duhet të pranoj përgjegjësinë”, ka thënë ai.

Më tej O’Connell është shprehur se nëse Kosova prezanton veten në botë është shumë e rëndesishme.

“Ne mund ta bëjmë por kjo ka një shije propagande. Veprat e Kosovës kanë peshë 10 apo 100 më të madhe se veprat e partnerëve”, ka theksuar O’Connell.

Në fund të fjalës së tij në tryzën ku u diskutua për politikën e jashtme ambasadori britanik tha është e rëndësishme që të investohet energji për dialogun me Serbinë.

“Është e vështirë por jam i bindur që një marrëveshje në fund është e mundur. Kosova është shtet i ri dhe e dimë që ka pengesa , por kemi qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe mënyra më e mirë për ta zhvilluar Kosovën është që ta marrin përgjegjësinë”, ka përfunduar O’Connell.

Kurse Ardian Arifaj nga Presidenca e Kosovës tha se kryefjalë e Presidencës janë dialogu dhe konsololidimi.

“Dialogu me Serbinë ka marrë shumë energji por është një nga sfidat kryesore. Në fazën përfundimtare të kemi anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kur flasim për dialogun nuk mendohet vetëm për dialogun me Serbinë por mendohet për dialogun me rajonin, me vendet e rajonit, për përforëcimin e bashkëpunimit, për dialogun konstruktiv me BE në”, ka thënë Arifaj.

Sipas Arifajt konsolidimi ndërkombëtar është i lidhur ngushtë me konsolidimin e brendshëm të Kosovës.

“Sundimi i ligjit është i lidhur ngushtë me konsolidimin. Kosova të bëhet konsumuese dhe eksportuese e paqes në rajon. Transformimi i FSK së që Kosova të jetë konstribuese e paqes në rajon”, ka përfunduar Arifaj.