Banorët e Gremnikut nën Mëshirën e Shtyllave të KEDS-it

Shtyllat e amortizuara elektrike që u varen mbi mure shtëpi dhe kokë, janë shndërruar në një ankth të përditshëm për banoret e fshatit Gremnik të Komunës së Klinës.

Janë rreth 20 shtylla të amortizuara, të cilat përbëjnë rrezik sipas  banorëve për ta dhe pronat e tyre, ndërsa pesë sosh paraqiten në gjendje vërtet të rrezikshme.

Një shtyllë në veçanti, qëndron e pjerrët mbi shtëpinë e zonjës Fatmire Morina, e cila shprehet e alarmuar për rrezikun që u kanoset fëmijëve të saj edhe nga telat e kësaj shtylle, të cilët janë në tokë.

“Kjo shtyllë është rrëzuar që nga tetori 2015 dhe jemi të rrezikuar se që nga atëherë është mbi kulm të shtëpisë. Sa herë që ka fry era ne jemi rrezikuar dhe kemi flejtë me frikë se mos bie mbi shtëpi, mos po digjet shtëpia, mos po rrezikohem për jetë. Fëmijët sa herë dalin të luajnë, kabllot janë në tokë”, tha Morina.

Morina thekson se madje kanë vendosur vetë një shtyllë të re dhe kanë kërkuar nga KEDS-i që ta largojnë shtyllën e vjetër, duke transferuar kabllot në të renë, por sipas saj, pa rezultat.

“Shtyllën e kemi vendosur por nuk vinë ta lidhin nga shtylla më e largët në shtyllën tjetër….Nuk e di…Klina thotë Peja, Peja thotë Klina…nuk e di”, thotë Morina.

Ndërsa Kryetari i Fshatit Gremnik, Binak Gashi, thotë për Gazetën JNK se në mënyrë vullnetare janë ngritur shtylla të reja nga vetë banorët.

Sipas Gashit, e tëra çka është dashur të ndërmarrë KEDS-i, janë vetëm lidhjet e kabllove çka nuk e kanë bërë.

“Me ndihmën e rinisë së fshatit, pa ndihmën e askujt jemi dalë dhe i kemi ngritur (shtyllat) vetë. Me atë rast kam shkuar në zyrën e KEDS-it dhe kam bërë kërkesë në zyrën e KEDS-it që të mi lejojnë pesë shtylla ta forcojmë rrjetin elektrik i cili është shumë i vjetër dhe shumë i dëmtuar. Më kanë premtuar që do të na bëjnë zgjidhje por zgjidhja nuk erdhi kurrë”, tha ai.

Kryetari i tha Gazetës se banorët i janë drejtuar zyrës së KEDS-it në Klinë, të cilët në mungesë mjetesh i kishin drejtuar në zyrën rajonale të KEDS-it në Pejë.

Sipas kryetarit Gashi, Zyra Rajonale e KEDS-it në Pejë në vend që të vinin në fshat për ndihmë, e kishin ftuar që ai të shkonte në Pejë për bisedë.

“Nuk kam gjetur mirëkuptim… më kanë  thënë (KEDS) eja në Pejë bisedojmë. Unë në Pejë problem nuk kam, problem kam në fshatin ku janë kabllot elektrike dhe shtyllat që duhet të riparohen”, tha ai.

Megjithë këto deklarime, ankesa e banorëve tashmë është regjistruar në zyrat e KEDS-it.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala i konfirmoi Gazetës se kompania është e njoftuar për këtë problem .

“Ekipet e KEDSIT janë të njoftuar me këtë problem dhe javën e ardhshme është paraparë që do e përforcojmë rrjtin e tensionit të lartë në këtë fshat”, tha Buzhala.

Në disa raste të tjera KALLXO.com kishte raportuar për shtylla elektrike të KEDS-it që rrezikonin banorët dhe pas raportimeve shtyllat ishin zëvendësuar.

http://kallxo.com/shtyllat-elektrike-rrezikojne-banoret-e-lagjes-kurilla-te-prizrenit/

http://kallxo.com/keds-i-i-rregullon-shtyllat-qe-paraqisnin-rrezik-per-banoret/

http://kallxo.com/ndikimi-i-kallxo-com-ne-zgjidhjen-e-problemeve-nga-shtyllat-elektrike-deri-te-emerituset-e-dyshimte-ne-up/

[interaction id=”56d40c81ac5895475cce8f0d”]