Josip Perkoviç (majtas) dhe Zdravko Mustaç (djathtas) në gjyq në Munih - Foto: Beta

Kroacia redukton dënimin me burg të ish-kreut të sigurimit jugosllav

Gjykata e qarkut të Zagrebit vendoi të ndryshojë në 30 vjet burg dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në Gjermani për ish-zyrtarin e Sigurimit Shtetëror Jugosllav Josip Perkoviq për përkrahje të vrasjes së një emigranti kroat.

Gjykata e Qarkut të Zagrebit vendosi të premten për ta kthyer dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga një gjykatë në Munih për ish-zyrtarin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav Josip Perkoviq në 30 vjet burg.

Gjykata e uli dënimin sepse Kodi Penal i Kroacisë nuk përfshin burgim të përjetshëm dhe parashikon një dënim maksimal prej 40 vjet burg. Perkoviq pritet të transferohet nga Gjermania në Kroaci për të kryer dënimin e tij me burg.

Ish-zyrtari i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav, së bashku me ish-eprorin e tij Zdravko Mustaq, u dënua me burgim të përjetshëm në gusht 2016 për përkrahje të vrasjes së emigrantit Stjepan Gjurekoviq në vitin 1983 në një garazh në Wolfsrathausen pranë Mynihut, ku ai printonte materiale propagandistike anti-jugosllave.

Mustaq në atë kohë kryesonte degën kroatet të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav, ndërsa Perkoviq ishte shefi i departamentit të tij përgjegjës për emigrantët.

Ekstradimi i Perkoviqit dhe Mustaqit në Gjermani në vitin 2013 ishte një proces i gjatë dhe politikisht i diskutueshëm.

Pasi u dënuan, të dy burrat apeluan, por apelet e tyre u rrëzuan në maj të këtij viti.

Të dy burrat gjithashtu ngritën një padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg në nëntor, duke pretenduar se gjykata gjermane nuk i trajtoi ata në mënyrë të drejtë gjatë gjykimit të tyre.

Perkoviq dhe Mustaq janë ende në burg në Gjermani, por sipas kanalit televiziv rajonal N1, pritet që ata të kthehen në Kroaci në janar 2019 maksimumi.

Dënimi i Mustaqit do të vendoset nga një gjykatë tjetër kroate.