Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Foto. Kallxo.com

‘Kriza humanitare' në veri të Kosovës, flet ministri i Tregtisë dhe Industrisë

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se në pjesën veriore të vendit po përgatitet një krizë humanitare nga ana e shtetit serb.

Ndërsa, gjatë një konference për media ditën e djeshme, shefi i ekzekutivit kosovar tha se nuk do të lejojnë një skenar i cili prodhon “katastrofë humanitare” në veri të vendit.

Sot gjatë ditës për këtë çështje ka folur edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

“Të gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës janë të hapura dhe lejohet në mënyrë të ligjshme të futën të gjitha mallrat që dëshirojnë të futen në Kosovë”, tha Shala.

Sipas ministrit, në pjesën veriore të vendit tashmë janë angazhuar 30 inspektorë të tregtisë dhe në bazë të informatave, nuk ka vend për shqetësim.

“Vetëm në pjesën Veriore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka të angazhuar mbi 30 inspektorë të treguar, shumica nga ta të komunitetit serb të cilët janë duke e përcjellë tregun në atë pjesë. Me informatat që i kemi nga inspektorët tanë në atë pjesë nuk ka asnjë shqetësim as nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha tutje ai.

Më tej, Shala tha se Qeveria e Kosovës ka informatat për skenarë të tillë, por një gjë të tillë nuk do të lejojnë.

“Në secilën pjesë të Kosovës tregtarët janë të lirë të furnizohen nga furnizues të mallrave të cilat dëshirojnë t’i kenë nëpër pikat e shitjes. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi informata se organizma të Serbisë janë të indeksuara që përmes disa pikave shitëse në Veri të vendit të simulojnë kinse një krizë humanitare, të simulojnë se kinse në disa pika shitëse nuk ka produkte, e kjo me qëllim që të sjellin një reagim për një katastrofë të mundshme humanitare”, deklaroi Shala.

“Ne si Qeveri e kemi pasur këtë informacion shumë më herët dhe i kemi marrë hapat e nevojshëm dhe nuk do të lejojmë që në asnjë cep të territorit të Kosovës të ballafaqohet me mungesë të produkteve që ai dëshiron t’i ketë”, tha në fund ai.