Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Kriza e vizave: Prishtinasi falsifikoi datën e lindjes për të qëndruar në Gjermani

I lindur në vitin 1996, Kreshnik Ibrahimi kishte bërë disa variacione për të arritur të merrte leje qëndrimin në Gjermani.

Kosovari po akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se u paraqiti autoriteteve gjermane një certifikatë të falsifikuar të lindjes, e cila dëshmonte se ai kishte lindur në vitin 1999.

Certifikata që  dyshohet se u lëshua nga Ofiqaria e Komunës së Prishtinës, saktësisht zyrtarja Sanije Paloja, i kishte mundësuar kosovarit që tek autoritetet gjermane të paraqitej si i mitur dhe të njëjtit mos ta kthenin në Kosovë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ëndrra e Ibrahimit për të qëndruar në Gjermani ishte shuar kur autoritetet gjermane kërkuan që të verifikonin certifikatën e tij në Ambasadën e Kosovës në Frankfurt.

Gjatë verifikimit ishte konstatuar se kosovari kishte lindur më 1996 ndërsa certifikata e falsifikuar ishte lëshuar në Zyra e Gjendjes Civile e Komunës së Prishtinës në Dardani.

Sanije Paloja zyrtare në këtë qendër po akuzohet nga Prokuroria se lëshoi certifikatën e falsifikuar.

Në gjyqin e mbajtur sot Paloja nuk ka pranuar fajësinë ndërsa ka thënë se certifikata ka mundur të lëshohet edhe nga kolegët e saj me të cilët ajo nuk kishte marrëdhënie të mira.

Për ta dëshmuar se nuk ishte në zyrë në kohën kur është lëshuar certifikata Paloja ka propozuar një dëshmitar nga Ministria e Punëve të Brendshme i cili do ftohet në gjykatore në seancën e radhës.